Stamboll, 5 nëntor – Lexuesit e revistës britanike “International Airport Review” kanë shpallur aeroportin e Stambollit për “Aeroport të vitit”, kumtoi operatori i aviacionit IGA, transmeton gazeta KOHA.
Aeroporti në Stamboll fitoi shumicë të votave të lexuesve, duke i mposhtur disa aeroporte ndërkombëtare të njohura, si Hithrou (Britania e Madhe), Sidnei (Australi) dhe Çangi (Singapor), thuhet në kumtesën e IGA-së.
Aeroporti në Stamboll është rrugës për t’u bërë një qendër globale me arkitekturën e tij unike, infrastrukturën shumë të zhvilluar dhe teknologjitë e larta.
Përderisa aeroporti në Stamboll është shpërblyer në kategorinë “Zgjedhja e lexuesve: Aeroport i vitit”, revista dha edhe çmime të tjera: Aeroporti ndërkombëtar Kempega i Indisë fitoi çmimin për “Nisma më e vlefshme”, kompleksi i terminaleve të aeroportit të mesëm në Abu Dabi u shpërblye me “Projektin për dizajn inovativ”, ndërsa aeroporti i Edinburgut (Skoci) e fitoi çmimin “Iniciativa më e mirë për qasje”.
Aeroporti në Stamboll, faza fillestare e të cilit u hap zyrtarisht në tetor të vitit 2018, më 6 prill të këtij viti mori përsipër trafikun ajror nga aeroporti “Ataturk”.
Parashikohet të shërbejë 200 milionë pasagjerë në vit me kapacitet të plotë, deri në vitin 2028 duhet të përfundojnë të katër fazat me gjashtë pistat.(koha.mk)