Prishtinë, 5 dhjetor – Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” e akuzoi sot Drejtorinë e aviacionit civil të Republikës së Serbisë se përhap lajme të rreme që aeroporti i Prishtinës është i mbyllur për qarkullim ajror dhe nuk jep leje për operim, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Menaxheri i planifikimit të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Driton Hyseni e ka publikuar këtë porosi me të cilën agjencia shtetërore ajrore serbe paralajmëron një operator ndërkombëtar të mos fluturojë për në Prishtinë. sepse, aeroporti i atjeshëm është i mbyllur gjatë ditës së nesërme.
Hyseni, siç transmetoi portali “Koha.net”, e ka thënë operatorit të huaj, i cili prej tij ka kërkuar informacione shtesë, se bëhet fjalë “edhe për një tentim të autoriteteve serbe t’i mashtrojnë” partnerët e aeroportit të Prishtinës.
“Përveç bllokadës së hapësirës ajrore mbi territorin e Serbisë për fluturimet që kanë destinacion e origjinë Aeroportin ‘Adem Jashari’, autoritetet serbe vazhdojnë me gënjeshtra e tentativa për lajthitje e bllokim të operatorëve ajror. Që nga përfundimi i luftës sonë çlirimtare, autoritetet e Aviacionit Civil të Serbisë dezinformojnë operatorët ajrorë me mesazhe se Aeroporti i Prishtinës është i mbyllur për trafik ajror civil dhe se nuk jepen leje për operime. Një mesazh i tillë i ishte dërguar edhe këtë mëngjes një operatori ajror që planifikon të realizojë fluturime nesër në aeroportin ‘Adem Jashari’”, ka shkruar Hyseni në Fejsbuk.
Ai ka thënë se lejet për fluturime i jep Kosova tashmë dhe se gënjeshtarët nuk do ta kenë mundësinë asnjëherë më.