Ne ndjekim rregullisht të gjitha kërkesat, sugjerimet dhe ankesat e udhëtarëve dhe reagojmë menjëherë brenda mundësive tona, në mënyrë që të ofrojmë shërbime me cilësi të lartë dhe të krijojmë një mjedis të rehatshëm gjatë udhëtimeve të tyre në të dy aeroportet, thotë Ersoj në një intervistë ekskluzive për gazetën KOHA
Bisedoi: Vedat MEMEDALIU
Me më shumë pasagjerë se vitin e kaluar, me linja të reja ajrore të futura në destinacione të ndryshme Evropiane, si dhe me fluturime shtesë mbi ato ekzistuese, aeroportet në Shkup dhe Ohër po përfundojnë ngadalë gjysmën e parë të këtij viti. Për Drejtorin e Përgjithshëm të TAV Macedonisë, Alper Ersoj, rezultatet janë pozitive, por pritjet për përfundimin e vitit 2019 janë akoma më optimiste. Me z. Ersoj gjithashtu biseduam edhe për rritjen e numrit të udhëtarëve nga vendet fqinje, të cilët tashmë i njohin dy aeroportet maqedonase si qendra që ofrojnë shërbime me cilësi të lartë dhe çmime shumë të volitshme.
KOHA: Si e vlerësoni fillimin e këtij viti në operacionin e TAV Maqedonisë në krahasim me vitin e kaluar, i cili ishte jashtëzakonisht i suksesshëm? A vazhdon të rritet numri i pasagjerëve?
ERSOJ: Numri i udhëtarëve vazhdimisht rritet brenda planeve dhe pritjeve tona si rezultat i punës së dedikuar të ekipit të TAV Maqedonisë për të ofruar shërbime cilësore në çdo segment të operacionit. Rritja e vazhdueshme e numrit të udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe “Shën Apostol Pali “në Ohër në gjysmën e parë të vitit, si dhe linjat e reja të paraqitura në të dy aeroportet na japin të drejtën e plotë për t’u kënaqur me punën e TAV Maqedonisë dhe me rezultatet e arritura.
Më shumë se 914,759 pasagjerë udhëtuan në të dy aeroportet në Shkup dhe Ohër në pesë muajt e parë të këtij viti, që paraqet një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Numri i pasagjerëve pritet të jetë edhe më i madh në periudhën e ardhshme duke marrë parasysh futjen e katër destinacioneve të reja nga Shkupi dhe Ohri që do të promovohen gjatë verës, si dhe futjen e fluturimeve shtesë në disa prej destinacioneve ekzistuese. Me përjashtim të udhëtarëve nga vendi, linjat e reja dhe fluturimet shtesë hapin mundësi më të mëdha për udhëtarët e vendeve të rajonit të cilët tashmë e njohin aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit si një mundësi shumë të përshtatshme për realizimin e udhëtimeve të tyre.
KOHA: Rrjeti i rrugëve nga Aeroporti i Shkupit dhe të Ohrit është zgjeruar me disa linja të reja. Cila linjë ajrore transporton numrin më të madh të udhëtarëve dhe cili është destinacioni më i shpeshtë në aeroport?
ERSOJ: Në këtë segment, situata është shumë e ngjashme me vitet e mëparshme. Linja ajrore me kosto të ulët “Vizer” mbetet në krye të listës pëe numrin më të madh të udhëtarëve të transportuar, me një pjesëmarrje prej 66.4% në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Pas “Vizer-it”, në listë ndodhet “Turkish Erlajns” (7.2%), pasuar nga “Austrian Erlanjs” (5.1%), “Gjermania Flug” (4.5%), “Pegasus Erlajns” (3, 1%), “Edelvajs” dhe “Kroaci Erlajns” me 2.8%. Në pesë muajt e parë të këtij viti, Stambolli është destinacioni më i shpeshtë me pjesëmarrje10.3% në treg. Pas Stambollit, vijonë Cyrihu (7.3%), Baseli (5.5%), Vjena (5.2%), Malmo (4.5%) dhe Bratislava (3.4%).
KOHA: Aeroportet në Shkup dhe Ohër janë ndër aeroportet me rritje më të shpejtë në Evropë në kategorinë e tyre. A keni ndonjë strategji apo plan për rritjen e nivelit të punës, sidomos gjatë kulmit të sezonit turistik?
ERSOJ: Kemi indikatorë kyç për efikasitet (KPI) të cilët vazhdimisht i matim për një periudhë prej rreth një viti. Përveç kësaj, ne vazhdimisht monitorojmë lëvizjen e udhëtarëve. Sa herë që vërejmë ndonjë situatë në lidhje me këta tregues ose me rrjedhën e pasagjerëve, ne marrim masa për të zgjidhur atë situatë. Nëse jeni udhëtar i rregullt në aeroportet e Shkupit ose të Ohrit, mund të vini re ndryshimet që kemi bërë që nga dita e parë e operimit, të cilat kanë një qëllim kryesor – të përmbushin kërkesat dhe pritjet e udhëtarëve tanë. Kjo është arsyeja pse rregullisht ndjekim të gjitha kërkesat, sugjerimet dhe ankesat e tyre dhe reagojmë menjëherë brenda mundësive tona. Ne gjithmonë synojmë të ofrojmë shërbime cilësore për pasagjerët tanë dhe të krijojmë një mjedis të rehatshëm gjatë udhëtimeve të tyre në aeroportet në Shkup dhe Ohër.
KOHA: Kohët e fundit në Elbasan keni promovuar aeroportet e Ohrit dhe të Shkupit si një mundësi për udhëtime të lira për qytetarët e Shqipërisë. A i përdorin tashmë qytetarët e Shqipërisë këto dy aeroporte, veçanërisht atë të Ohrit për shkak të afërsisë? Cilat janë mundësitë që aeroportet e Maqedonisë ia ofrojnë qytetarëve të Shqipërisë?
ERSOJ: Aeroportet në Shkup dhe Ohër u ofrojnë të gjithë udhëtarëve të tyre mundësinë për udhëtime të lira dhe fluturime të drejtpërdrejta në mbi 50 destinacione Evropiane. Promovimi në Elbasan u organizua në mënyrë që të informohet më mirë publiku në Shqipëri për mundësitë dhe përfitimet që ofrojnë aeroportet maqedonas, sidomos ai i Ohrit, duke marrë parasysh afërsinë gjeografike të qyteteve Elbasan dhe Ohër dhe fluturimet e shumta me kosto të ulët nga Ohri në destinacione të ndryshme. Aktualisht, aeroporti “Shën Apostol Pali “vepron me 18 destinacione, tetë prej të cilave janë të rregullta gjatë gjithë vitit, ndërsa 10 të tjerat janë sezonale, nga prilli në tetor. Në të njëjtën kohë, pasagjerët në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kanë në dispozicion fluturime direkte deri në 42 destinacione. Vendndodhja e shkëlqyer, numri i madh i fluturimeve me kosto të ulët, cilësia e lartë dhe shërbimet konkurruese hapin rrugën që aeroportet e Shkupit dhe të Ohrit të bëhen një qendër e përbashkët rajonale e trafikut ajror.
KOHA: A mund të na tregoni se cilat janë planet e ardhshme e të dy aeroporteve për linjat ajrore të reja, por edhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të aeroportit?
ERSOJ: Përderisa numri i pasagjerëve dhe trafiku ajror po rriten nga viti në vit, ne kemi disa plane në lidhje me projektimin dhe rrjedhën e udhëtarëve në mënyrë që të jemi të përgatitur për rritjen e ardhshme. Ne ndjekim nevojat e pasagjerëve përmes disa mjeteve, siç është Sistemi i Menaxhimit me Klientë (ISO), mesazhet me email, formularët për sugjerime dhe mediat sociale. Sipas analizës gjithëpërfshirëse, ne po zhvillojmë plane për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve me të cilat do të kënaqim nevojat e udhëtarëve. Për shembull, ne jemi duke punuar për të siguruar vende ku mund të pihet duhani pas kontrollit të pasaportave për shkak të numrit të madh të ankesave se nuk kemi zonë duhani pasi pasagjerët kalojnë kontrollin e pasaportave. Pasagjerët njohin përpjekjet tona për të ofruar shërbime me cilësi më të lartë dhe i vlerësojnë ato. Kjo gjithashtu u dëshmua edhe në vitin e kaluar kur Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit mori për herë të katërt çmimin për cilësinë e shërbimeve në aeroport (Airport Service Quality), të cilën e jep Airports Council International (ACI). Kjo njohje prestigjioze jepet në aspektin e përvojës së pasagjerëve dhe është një pikë referimi në nivel global për cilësinë e shërbimit të klientit. Tregu në vend po zhvillohet me potencial të madh për rritje të mëtejshme, prandaj është vërtet tërheqës për kompanitë ajrore dhe operatorët turistikë, me të cilët ekipet tona profesionale janë në komunikim të vazhdueshëm.
KOHA: Sipas të gjitha vlerësimeve, ka një rritje të turistëve nga Turqia që vizitojnë Maqedoninë e Veriut. Cila është arsyeja për këtë dhe cili është kontributi i TAV Maqedonisë për të tërhequr turistët turq?
ERSOJ: Lidhjet historike dhe kulturore midis dy vendeve janë shumë të forta. Ka shumë njerëz që kanë migruar nga Ballkani në Turqi dhe ende e ndiejnë këtë rajon si vendbanimin e tyre. Plus, ngjashmëritë në kulturë, në ushqim, sjellja midis Turqisë dhe Maqedonisë veriore ndikojnë pozitivisht në vendimin e njerëzve për të zgjedhur vendin dhe Ballkanin si destinacionin e ardhshëm për të udhëtuar, sepse dëshirojnë të ndihen si në shtëpi. Ne, si TAV, po promovojmë Maqedoninë e Veriut në të gjitha ngjarjet ku kemi mundësi, siç janë konferencat, takimet dhe panairet për linjat ajrore dhe operatorët turistikë. Përveç kësaj, po bëjmë promovim marketingu të kryqëzuar të vendit duke e përfaqësuar atë tek linjat ajrore dhe operatorët turistikë në vendet ku jemi të pranishëm përmes operacioneve me aeroporte. Për shembull, ne kemi bindur një nga operatorët turistikë më të mëdhenj “Tomas Kuk” që të fluturojë nga Ohri gjatë vizitave të përfaqësuesve të tij në Bodrum, Turqi.Tani për tani, kjo strategji promovuese jep rezultate të suksesshme.
KOHA: Vlen të përmendet se dy vitet e fundit është rritur numri i pasagjerëve që vijnë nga vendet fqinje. A mendoni se ky trend do të vazhdojë?
ERSOJ: Interesimi i rritur i linjave ajrore për futjen e linjave të reja nga Shkupi dhe Ohri, bisedimet që ekipi ynë tashmë ka me linjat ajrore të reja, si dhe masat e marra nga Qeveria për nxitjen dhe rritjen e trafikut ajror në vitet e fundit na japin një bazë të vërtetë për të besuar në vazhdimësinë e këtij trendi pozitiv. Ne besojmë se me rritjen e mëtejshme të numrit të pasagjerëve nga vendet fqinje dhe me përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve, aeroporti i Shkupit dhe i Ohrit do të pozicionohen edhe më fort si liderë në proceset zhvillimore të aeroporteve në rajon.
KOHA: Çfarë prisni në vitin 2019 për sa i përket numrit të udhëtarëve?
ERSOJ: Ne fillim të dhjetorit të vitit 2018 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit pritëm 2 milion pasagjerë, i cili ishte një rekord i ri për ne në vend. Presim që deri në fund të vitit 2019 do të shënojmë dhe festojmë rekorde të reja ne lidhje me numrin e pasagjerëve.