Athinë, 25 mars – Gjatë udhëtimit të kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras drejt ishullit Agatonisi, që ndodhet në afërsi të Turqisë, me rastin e festës nacionale greke, aeroplanë ushtarakë turq e kanë shkelur hapësirën ajrore greke dhe e kanë detyruar helikopterin të fluturojë ulët dhe të kryejë manovrime, përderisa nuk kanë intervenuar aeroplanët ushtarakë grekë, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Incidentin me aeroplanët ushtarakë turq e bëri të ditur vetë kryeminsitri grek Cipras, i cili e porositi Turqinë se “kot shpenzon benzinë dhe kerozinë” dhe nëse nevojitet, me not do të arrijë deri te vendi më i largët në Greqi.
Kryeministri grek theksoi se Greqia çdoherë është për paqe, dialog dhe bashkëpunim dhe i dërgoi porosi Turqisë se vetëm këto gjëra kanë perspektivë.
“Greqia sot është vend në të cilin të gjithë mund të llogarisin sërish, jo si fuqi që sulmon, por si fuqi e paqes dhe bashkëpunimit në Mesdheun Lindor dhe në Ballkan. Si fuqi që është për dialog dhe mirëkuptim me popujt, si nyje energjetike në rajon, si fuqi në të cilën mund të llogaritet. Dhe këtë porosi dëshiroj t’ua dërgoj fqinjëve tanë, fqinjëve tanë të cilët duhet të kuptojnë se në Detin Egje perspektivë kanë vetëm bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe zhvillimi i përbashkët”, porositi Cipras.