Tetovë, 13 dhjetor – Adnan Bilalli nga PDSH-ja është zgjedhur kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive më 16 nëntor.
Kandidaturën e tij e kanë përkrahur 15 këshilltarë, nga BDI-ja, PDSH-ja, LSDM-ja dhe PDT, ndërsa kundër ishin nëntë – nga Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.
Këshilltarët nga VMRO-DPMNE-ja, megjithatë, e kanë braktisur seancën në shenjë të revoltës, siç thanë, për shkak të arrestimit të 37 personave për dhunën në Kuvend më 27 prill.
Këshilli i Komunës Tetovë numëron 31 këshilltarë, ndërsa nga kjo përbërje, 30-ve prej tyre u janë verifikuar mandatet. Një këshilltar është pa mandat pasi ende nuk ka marrë pjesë në seancë.
“Procedura në vazhdimin e sotëm të seancës u zbatua sipas Ligjit për vetadministrim lokal, si dhe Statuti dhe rregullorja për punë e Këshillit të komunës së Tetovës. Pesëmbëdhjetë këshilltarë është përkrahje e mjaftueshme për zgjedhjen time pasi një këshilltari nuk i është verifikuar mandati. Pres punë më aktive pasi duhet të miratohet buxheti i komunës, të formohen komisione adekuate dhe të punojmë në interes të qytetarëve”, tha Bilalli.
Sipas grupeve të këshilltarëve të Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët, 15 vota nuk janë të mjaftueshme për zgjedhje të kryetarit të Këshillit.