Kryetari i Sindikatës së Administratës Gjyqësore, Peco Grujoski, njofton se nëpunësit e gjykatave të vendit janë të vendosur për grevë nëse deri në fund të muajit nuk plotësohen kërkesat e tyre
Omer XHAFERI
Shkup, 9 gusht – Durimit të administratës gjyqësor po i ofrohet fundi. Nëse deri në fund të muajit nuk ju kthehen 330 mijë euro, mjete këto të marra nga Këshilli Gjyqësor pas protestave të vitit 2016, Sindikata dhe Shoqata e Administratës Gjyqësore do të fillojnë grevë të përgjithshme në nivel republikan, shkruan gazeta KOHA. Përveç kësaj, greva e paralajmëruar pritet të mbahet edhe për shkak të mos ndryshimeve ligjore të Ligjit për shërbimin gjyqësor, respektivisht rritjen e shtesave mujore deri në 35 për qind për administratën gjyqësore.
Kryetari i Sindikatës së Administratës Gjyqësore, Peco Grujoski, për gazetën KOHA njofton se nëpunësit që punojnë nëpër të gjitha gjykatat e vendit kategorikisht janë të prerë se, nëse deri në fund të muajit nuk plotësohet kërkesat e tyre, ata do të fillojnë me protesta dhe grevë. Kësisoj, ai thekson se SAGJ-i, me automatizëm do ti mbështesë anëtarët e tyre në rrugëtimin drejtë përmbushjes së kërkesave të kamotshme.
“Faktin se paratë e grevistëve nga administrata gjyqësore, të cilët gjatë vitit 2016 për një muaj e gjysme e bllokuan punën e gjykatave, janë ‘konfiskuar’ në mënyrë të ,padrejtë e ka konfirmuar Inspektorati i punës dhe zyra e Avokatit të Popullit. Jemi të vetëdijshëm për dispozitën e cila qëndron në Ligjin për shërbimin gjyqësor, ku thuhet se në rast të grevës, nëpunësit gjyqësor paga mujore i paguhet në vlerë prej 60 për qind, përderisa kontributet paguhen në minimum. Këtë dispozitë aspak nuk e kontestojmë. Mirëpo, problemi lind se kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zharko Karaxhovski, gjatë kohës kur janë përgatitur vendimet për rroga, u shkruan kryetarëve të gjykatave që për çdo grevistë, veç e veç të përgatiten vendime individuale. Por, ai brenda një kohë të shkurtër e ndryshon këtë vendim dhe i obligon arkëtarët e gjykatave që të gjithë grevistëve t’u minusohen nga 40 për qind e pagave. Me këtë veprim, ai e ka keqpërdorur pozitën zyrtare, për të cilën ne kemi ngritur kallëzim penal, i cili deri sot nuk e di sa e është proceduar nga Prokuroria. Njëkohësisht, arsye shtesë për grevën e paralajmëruar është edhe mos ndryshimi i Ligjit për shërbimin gjyqësor, ku kërkojmë rritjen e shtesave deri në 35 për qind”, tha Grujoski.
Paralajmërimet për grevë dhe protesta të aktualizuara nga Sindikata dhe Shoqata e Administratës Gjyqësor, vijnë pas një sërë takimesh me drejtuesit e Qeverisë, të cilët deri më sot nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje. Lidhur me këtë çështje, Peco Grujovski nënvizon se në takimin me kryeministrin Zoran Zaev, është konstatuar se Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë duhet të gjejnë një zgjidhje ligjore për kthimin e 330 mijë eurove, para këto që ju i takojnë administratës gjyqësore.
“Qeveria ka kërkuar të dhëna nga çdo gjykatë për të vërtetuar se çdo nëpunësi gjyqësor sa mjete i janë marrë. Ndërkohë, kryeministrin kanë tentuar ta bindin se ne si Sindikatë, nuk jemi në të drejtë, duke u arsyetuar se paratë janë marrë në mënyrë ligjore. Ne e dimë se 40 për qind e rrogës, gjatë kohës kur protestojmë – na ndalohet, mirëpo ky vendim duhet të mbështetet në bazë të procedurave ligjore. Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria duhet ta kenë parasysh se edhe ndryshimet e Ligjit për nëpunësit e prokurorëve, ku shtesat u rritën deri në 35 për qind, nuk respektohet siç duhet. Për çdo muaj, para gjykatave zhvillohen konteste gjyqësore për pranimin e këtyre mjeteve dhe të njëjtat fitohen. Ndërkohë, implikimet për arkën buxhetore janë të mëdha”, thekson Grujoski.
Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Vlladimir Vellkov, lidhur me këtë çështje thotë se dikasteri qeveritar i drejtuar nga ministrja Renata Deskovska, është i hapur për diskutim dhe se brenda këtij muaji, pritet të zhvillohet një takim me drejtuesit e Sindikatës së Administratës Gjyqësore. “Për momentin janë duke u shqyrtuar kërkesat e nëpunësve të administratës gjyqësore dhe besojmë se për një afat të shkurtër, para muajit shtator, të realizohet një mbledhje me palët e theksuara”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Ndryshe, gjatë grevës në gjyqësor që u zhvillua në periudhën qershor-korrik në 2016, para Ministrisë së Drejtësisë dhe para objekteve të gjykatave jashtë Shkupit, protestuan një numër i konsiderueshëm i nëpunësve gjyqësor. Përjashtim bënë vetëm administrata e Gjykatës Penale të Shkupit, e cila asokohe llogaritej e shantazhuar. Rritja e shtesave për nëpunësit gjyqësor, sipas drejtuesve të sindikatave, nuk paraqet obligim të patjetërsueshëm që paga të paguhet plus 35 për qind, por varësisht angazhimit dhe detyrës që e kryen një nëpunës gjyqësor, rroga mujore ti paguhet plus 10, 20 apo 35 për qind më tepër. (koha.mk)