Uashington, 21 janar – Presidenti i SHBA-së Xho Bajden nuk ka në plan t’i “ristartojë” marrëdhëniet me Rusinë, siç bënë shumë paraardhës të tij pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kumtoi sot “Uashington Post”.
Sipas bashkëbiseduesve të gazetës, administrata e Bajdenit po përgatit “masa të reja” në përgjigje të veprimeve agresive të Moskës.
“Derisa ne punojmë me Rusinë, ne do të punojmë për ta bërë atë të përgjegjshme për veprimet agresive që kemi vërejtur gjatë muajve dhe viteve të fundit”, deklaroi një zyrtar i lartë anonim amerikan.
Shtëpia e Bardhë ka në plan të kërkojë vazhdim të Marrëveshjes të kufizimit të armëve bërthamore (“START” i Ri) në pesë vjet, thanë dy burime për gazetën. Thuhet se vlefshmëria e kësaj marrëveshje skadon për disa ditë. Sidoqoftë, disa nga ndihmësit e Bajdenit nuk mbështesin vazhdimin e marrëveshjes për një afat të tillë.
Marrëveshja e skaduar mund të nxisë Moskën dhe Uashingtonin të vendosin një numër të pakufizuar të nëndetëseve bërthamore, bombarduesve dhe sistemeve raketore, të cilat mund të fillojnë një garë të re të armëve bërthamore, e cila mund të acarojë më tej marrëdhëniet me Rusinë, paralajmërojnë disa ekspertë.
Administrata po përgatitet t’i përgjigjet agresionit rus në javët e ardhshme, pasi Bajdeni do të rishikon vlerësimet e inteligjencës, të kërkuara nga Avril Hajns, drejtor i Inteligjencës kombëtare.
Bëhet fjalë për vlerësime të përfshirjes së pretenduar ruse në zgjedhjet e SHBA-së në vitin 2020, përdorimin e armëve kimike kundër liderit opozitar rus, Aleksej Navalni, urdhërat ruse të lëshuar për krerët e trupave amerikane në Afganistan dhe sulmin masiv kibernetik të kohëve të fundit ndaj agjencive qeveritare dhe kompanive, thonë burimet.
Bajden u betua dje si presidenti i ri i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.