Gostivari mund të jetë i vogël por ka shumë artist e një prej tyre është dhe Adisi, djaloshi që kompozon muzikën më të bukur shqipe të momentit. Ka bashkëpunuar me shumë artist të ndryshëm duke bërë kështu këngë hite e në studio e tij kanë kaluar shumë emra të njohur përfshirë këtu Vjollca Lukën, Miranda Hashanin e shumë të tjerë. Adisi vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA për të zbuluar shumë gjëra, si nisi ky rrugëtim në muzikë!?
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Artist dhe kompozitor shumë i njohur në trojet shqiptare, na zbulo si ka lindur dëshira për muzikë?
Dashuria ime e parë ka qenë muzika, këtë e dëshmojnë dhe familjarët e mi dhe shpesh herë e përmendin që unë që i vogël kam pasur dëshirë të këndoj, vallëzoj dhe dëgjoj muzikë, me kalimin e kohës pasioni nuk u shua gjë që më detyroi të vazhdoj mësimet në shkollë të muzikës, pastaj në fakultet duke vazhduar të ndërtoj veten në këtë drejtim.
KOHA: Po në familjen tuaj familjarët si i kanë raportet me muzikën?
Sa i përket familjes unë rrjedh nga një familje që drejtimin bazë e kanë mjekësinë por kjo nuk ka qenë aspak problem për mua që të vazhdoj atë që dua, madje kam qenë unë tepër këmbëngulës për atë që bëj që të dëshmoj veten.
KOHA: A ke planifikuar në të ardhmen ndonjë nga fëmijët të trashëgojë këtë talent tëndin?
Nuk e di nëse fëmijët e mi do të kishin dashur të merren me muzikë, por patjetër që do t’i përkrahja nëse do të donin të bëhen këngëtarë.
KOHA: Ndërmjet ushtrimit të një instrumenti dhe kompozimit, cili është ndryshimi emocional midis tyre?
Për mua ushtrimi i instrumentit ka qenë gjëja më e lodhshme dhe e bezdisshme kurse kur kompozoj më duket se e bëj atë që dua ta bëj më tepër dhe që di ta bëj më së miri.
KOHA: Në ç’pozicion do t’i vendosnit këto koncepte në lidhje me muzikën tuaj dhe me mënyrën tuaj të të punuarit?
Në rend të parë është frymëzimi që ndez idenë dhe prej të cilës fillojnë gjërat, serioziteti është ai që mban disiplinën në punë sikur treni që rri në binarë dhe padyshim saktësia gjatë punës e cila është bë problem dhe gjatë jetës së përditshme për shkak se më ka ngelur zakon dhe dua që punët t’i bëj në perfeksion.
KOHA: Po kompozitori apo artisti shqiptarë ose i huaj që adhuroni në mënyrë të veçantë?
Eric Serra, James Horner dhe Richard Clayderman.
KOHA: Këshilla që do t’u jepnit të rinjve të sotëm, atyre që kanë ndërmend të nisin rrugën e artit, atë të muzikës në veçanti?
Për të rinjtë të cilën duan të nisin rrugën e artit kam një porosi: Nëse nuk mendoni gjatë gjithë kohës për atë që bëni, mos u merreni fare me të, arti kërkon përkushtim maksimal.
KOHA: Përveç muzikës, cilave pasione të tjerë u jepni prioritet në jetën tuaj?
Pas muzikës, pasion kam shëtitjen nëpër male.
KOHA: Cilat janë projektet e juaja të ardhshme profesionale?
Krahas projekteve me artist të ndryshëm jam duke punuar edhe albumin tim të parë, ky album do jetë i stilit dance – EDM dhe do të përmbajë tetë këngë me artist të ndryshëm duke përfshirë këngëtarë dhe instrumentist.
KOHA: A ka ndodhur ndonjëherë që të bësh gati komplet projektin muzikorë dhe këngëtarë të ju refuzojë?
Sikur të mos më kishte ndodhur nuk do isha këtu ku jam, por nuk jam dëshpëruar, por përkundrazi më ka shërbyer për të përmirësuar gabimet dhe të ndërtoj kualitetin tim.