Shkup, 31 korrik – Skuadra e Shkëndijës sonte (e martë) do të zhvillojë ndeshjen kthyese të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve, kundër Sherif Tiraspollit. Kuqezinjtë kanë epërsi minimale prej 1-0 nga ndeshja e parë në Shkup dhe do të tentojë që këtë epërsi ta rruajë dhe të paktën të shënojë një gol, që të mund ta bëjë më të lehtë plasmanin në raundin e tretë.
Trajneri Qatip Osmani dhe mbrojtësi Mevlan Adili besojnë se në rast se Shkëndija imponon lojën e vet, mund të kalojë në raundin e tretë. “Gjate këtyre ditëve e bën analizën e lojës me Sherif Tiraspollin që e zhvilluam në Shkup dhe kishim mundësi të shohim disa gabime që bëmë gjatë pjesës së dytë. Mendojë se gjasat janë reale që Shkëndija të shkojë më tej edhe pse ka një përparësi minimale, por ndeshja luhet në një fushë ku lejohet të luhet dhe nëse arrijmë të imponojmë lojën tonë, besojë se Shkëndija do të kalojë më tej” tha Osmani.
Në anën tjetër, Adili pranon se do ta kenë vështirë, ndërsa rastet për tu plasuar në raundin tjetër janë 50-50. “Sipas mendimit tim gjasat janë të barabarta, të themi 50-50. Kemi rezultat pozitiv, derisa 1-0 nuk është rezultat për tu nënçmuar. Nga ana tjetër futbollistët e Sheriff Tiraspollit para tifozëve të tyre luajnë lojë ofensive dhe agresive. Për këtë arsye ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se për tu plasuar tutje, duhet të shënojmë së paku një gol. Nuk besoj se do të humbim 3-1. Në fakt cili do rezultat le të arrihet, vetëm Shkëndija të plasohet në raundin tjetër dhe të luajmë kundër Sallzburgut në raundin e tretë”, u shpreh Adili.
“Para së gjithash, gjëja më e rëndësishme për ne është se ne jemi me plotë vetëbesim. Fitorja në ndeshjen e parë, për ne ka rëndësi të madhe. Nëse në të kaluarën kemi mundur pa probleme në Liga Evropë, tani këtë po e bëjmë edhe në ndeshjet e Ligës së kampionëve. Sigurisht se për këtë jemi të gjithë krenar. Përsëris, duhet ta japim maksimumin, ndërsa nëse ajo mjafton për sukses është në rregull, nëse jo, të paktën kemi dhënë më të mirën nga vetja”, përfundoi mbrojtësi shkupjan në radhët e kuqezinjve. Ndeshja Sherif Tiraspoll – Shkëndija do të zhvillohet në orën 19.00, ndërsa fituesi nga kjo përballje në raundin e tretë do të përballet me Sallzburgun. (B.K.)