Bujar KURTAJ
Shkup, 13 dhjetor – Ka përfunduar sezoni vjeshtor në Ligën e dytë të Rumanisë, ndërsa skuadra e UTA Arad, pjesë e së cilës është futbollisti shqiptar Mevlan Adili ka përfunduar në pozitën e 12-të. Një rezultat aspak i pritur duke marr parasysh ambiciet e klubit para sezonit, ku ata synonin plasmanin në elitën e futbollit vendor.
Ndryshe, me të përfunduar sezoni vjeshtor, Adili pushimin e merituar po e shfrytëzon në vendlindjen e tij, ndërsa për gazetën KOHA, ka folur për rezultatet e arritura, paraqitjet e dhe të ardhmen e tij.
“Aspak nuk jemi të kënaqur me rezultatet e arritura këtë sezon. Në fillim të sezonit ambiciet tona ishin plasmani në Ligën e parë, ndërsa aktualisht jemi në pozitën e 12-të me vetëm 25 pikë të grumbulluara dhe larg vendit të parë dhe të dytë 24 respektivisht 23 pikë. Mendoj se ky rezultat i dobët vjen pas ndryshimeve të ndodhën në ekip. Kemi ndërruar tre trajner, diku 12 lojtar janë larguar kurse kanë ardhur shumë lojtar të ri, kështu që mendoj se kjo është arsyeja kryesore se pse gjendemi në këtë situatë”, pohon Adili, i cili nëse jo me rezultatet e skuadrës, thotë se është i kënaqur nga paraqitjet e tij.
“90-të për qind të ndeshjeve i kam zhvilluar, ndërsa kam shënuar një gol dhe kam bërë tre asistime. Jam shumë i kënaqur për paraqitjet që i kam bërë, ndërsa të kënaqur kanë mbetur edhe stafi teknik dhe trajneri. Sinqerisht gëzoj një respekt të madh nga të gjithë por edhe tifozët të cilët vlerësojnë shumë paraqitjet e mia dhe kontributin që e jap për skuadrën e tyre të zemrës”, nënvizoi më tej mbrojtësi i talentuar.
Ndërkohë, pjesë e skuadrës rumune Adili është nga muaji janar, ndërsa deri në përfundim të kontratës i kanë mbetur edhe gjashtë muaj.
“Kam edhe gjashtë muaj kontratë, por nuk e di a do të vazhdojë të qëndrojë te UTA Arad apo do të largohem. Sinqerisht njëherë dua të pushoj dhe më pas do të vendos se çka do të bëj. Kuptohet kjo punë është e menaxherit tim Meriton Berisha dhe bashkërisht do të vendosim për të ardhmen time. Atë që dua të them edhe njëherë është se te UTA jam shumë i lumtur dhe gëzoj respekt të madh nga të gjithë”, përfundoi deklaratën e tij për gazetën KOHA, Mevlan Adili.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.