Tetovë, 21 prill – Zëdhënësi i Shtabit Qendror të Zgjedhjeve të BDI-së, Arbër Ademi pas përfundimit të procesit zgjedhor në konferencën për shtyp në selinë e partisë theksoi se dita ka kaluar në mënyrë demokratike dhe vlerësoi se qytetarët kanë dhënë mbështetje për konceptin e tyre, përcjellë KOHA.
“Procesi zgjedhor ka kaluar në atmosferë të qetë dhe demokratike në pajtim me standardet evropiane. Institucionet e shtetit demonstruan kapacitet të lartë në organizimin e zgjedhjeve në pajtim me pritshmëritë e pjesëmarrësve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Vlerësojmë se mënyra e organizimit të këtyre zgjedhjeve është plotësimi i edhe një kushti për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në”, theksoi Ademi.
Ai theksoi se pasojnë edhe informacione të detajuara për vullnetin e qytetarëve.
Sipas vlerësimeve të para partiake, Ademi tha se në zgjedhjet për kryetarin e komunës së Dibrës, Hekuran Duka është në epërsi. (koha.mk)