Shkup, 7 nëntor – Ministri i Kulturës, Asaf Ademi sot në Ministrinë e Kulturës pati takim me anëtarët e grupit të valltarëve “Densers junajted MK” të cilët në Kielce të Polonisë, në Kampionatin botëror në vallëzime hip-hop fituan vendin e parë në parakategori.
Siç kumtoi Ministria e Kulturës, Ademi gjatë takimit ua uroi mirënjohjen e lartë dhe u dëshiroi edhe shumë rezultate të larta dhe çmime të reja përmes të cilave me sukses do ta promovojnë kulturën e Republikës së Maqedonisë në botë.
“Kujdesi për qasje të barabartë dhe mbështetje në kulturë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe për personat me nevoja të posaçme, është i domosdoshëm dhe paraqet detyrë dhe obligim serioz. Mbështetja për këta ambasadorë të kulturës do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim”, deklaroi Ademi.
Pjesëmarrja e “Densers junajted MK” në Poloni u realizua me mbështetje të Ministrisë së Kulturës. Anëtarët e këtij grupi valltarësh, së bashku me trajnerët e tyre, gjatë viteve të kaluara realizuan numër të madh të pjesëmarrjeve dhe fituan medalje evropiane dhe botërore në kategori të ndryshme, ndërsa vitin e kaluar në Kampionatin botëror në vallëzime moderne në Kopenhagë e fituan vendin e tretë.