Shkup, 30 korrik – Kthimi i 15 për qind nga pagesa e TVSH-së është masë frytdhënëse për të gjithë qytetarët të cilët blejnë çdo ditë, sepse çdo denar i kthyer te qytetarët është i rëndësishëm, theksoi Ministri për Diasporë, Edmond Ademi sot në promovimin e fushatës “TVSH-ja ime”, në Shkup.
Sipas ministrit, interesimi i madh i qytetarëve për projektin “TVSH-ja ime” kontribuojnë në uljen e ekonomisë gri.
“Më gëzon fakti që çdo ditë shoh se numër i madh i qytetarëve kyçen në projekt, respektivisht i skanojnë faturat e veta fiskale. Numri prej 6 milion e gjysmë faturave të skanuara flet për suksesin e “TVSH-ja ime”, tha Ademi.
Ai shtoi se këtë masë mund ta përdorin edhe bashkëatdhetarët tanë në diasporë, gjatë vizitës së tyre në vendlindje.
“Për diasporën tonë vlejnë tekstualisht të gjitha kushtet sikur edhe për shtetasit që jetojnë në RMV”, theksoi mes të tjerash ministri Ademi.