Ademi takon Kryetarin e Presidencës për turqit që jetojnë jashtë vendit

Shkup, 17 janar – Ministri ministri i angazhuar për Diasporën, Edmond Ademi dhe kryetari i Presidencës për turqit që jetojnë jashtë vendit, Abdullah Eren, sot u dakorduan të nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi në fushën e Diasporës.

Siç njoftojnë nga ministria dikasteriale në takim ministri Ademi u shpreh i kënaqur me nivelin e lartë të bashkëpunimit me Republikën e Turqisë dhe konfirmoi marrëdhëniet tradicionale miqësore mes dy vendeve.

Ademi theksoi se shtetasit maqedonas me origjinë turke dhe shtetasit turq me origjinë nga Republika e Maqedonisë i përforcojnë edhe më tej marrëdhëniet miqësore të të dy vendeve.

Në këtë drejtim, mes të tjerash, ministri Ademi iu referua politikave të qeverisë së Republikës së Maqedonisë në ndërtimin e një shoqërie të përbashkët në të cilën vëmendje të veçantë i kushtohet sigurimit të përfaqësimit të barabartë të komunitetit turk por dhe të bashkësive të tjera etnike në të gjitha fushat.

Lidhur me diasporën nga Republika e Maqedonisë në Turqi, ministri Ademi informoi se ata janë të organizuar në shoqata dhe organizata të ndryshme, të cilat nëpërmjet aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme kontribuojnë në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe zakoneve në Turqi, ku dhe falënderoi kryetarin Eren dhe Qeverinë e Republikës së Turqisë për mbështetjen e këtyre shoqatave dhe organizatave.

Kryetari i Presidencës për turqit që jetojnë jashtë vendit, Abdullah Eren falënderoi për pranimin dhe pritjen miqësore të ministrit Edmond Ademi, si dhe përshëndeti aktivitetet e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë në drejtim të integrimit evropian dhe euroatlantik të vendit.

Eren gjatë takimit, informoi shkurtimisht rreth punës dhe aktiviteteve të Presidencës për turqit që jetojnë jashtë vendit (YTB), duke theksuar se puna e saj është e bazuar në disa fusha, ndër të cilat aktivitetet kyçe janë përforcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi me diasporën turke.

Gjatë takimit u shkëmbyen çështje dhe sfida të përbashkëta me të cilat ballafaqohen vendet tona në kontekstin e diasporës dhe në këtë drejtim, Ministri Ademi dhe kryetari Eren u dakorduan në periudhën e ardhshme të nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin do të shkëmbehen njohuritë dhe përvojat, si dhe do të realizohen projekte të përbashkëta.