Me votimin e djeshëm të mocionit të votëbesimit të Qeverisë u hoqën dilemat e opozitës për shumicë qeveritare jostabile, deklaroi sot zëvendës-koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së, Arbër Ademi.
“Dje u konfirmua ajo që dëshirojmë ta theksojmë më shumë herë në këto 3-4 muajt e fundit para të gjithë opinionit. Kjo do të thotë se kemi konsistencë edhe në qëndrimet tona edhe në aktivitetin politik, kështu që kryetari i Qeverisë e shfrytëzon të drejtën e cila del edhe nga Kushtetuta, por edhe nga Rregullorja për punën e Kuvendit, që të kërkohet mbështetje dhe besim prej deputetëve edhe kjo ndodhi”, tha Ademi.
BDI, siç tha, fuqishëm beson se me aktin e djeshëm të votimit të mocionit të votëbesimit të Qeverisë, mund të hiqen të gjitha dilemat të cilat u theksuan nga opozita në tre-katër muajt e fundit se nuk ka shumicë, se shumica po qëndron në këmbë të qelqta, se ata tashmë kanë siguruar shumicë prej 61 deputetëve, se do të inciojnë dorëheqjen për mosbesim të Qeverisë.
“Dje u konfirmua legjitimiteti i kësaj Qeverie, përveç që një legjitimitet i tillë është marrë nga qytetarët më 15 korrik. Besoj se nuk do të përsëriten situata të tilla, ku në mënyrë të rrejshme prezentohet se dikush tjetër ka shumicë në Kuvend dhe se shumica qeveritare nuk ka stabilitet”, tha Ademi.