Shkup, 27 mars – Pas barazimit pa gola kundër përfaqësueses së Finlandës, përfaqësuesja e Maqedonisë sot (e martë) në arenën “Mardan” në Belek të Antalias, do të zhvillojë ndeshjen e dytë kontrolluese kundër Azerbajxhanit. Djemtë e seleksionuesit Igor Angellovski shpresojnë në efikasitet më të madh ndaj Azerbajxhanit, për dallim prej sfidës nga finlandezëve, ku në disa momente futbollistët nuk arritën të shënojnë.
Njëri prej tyre është edhe Arian Ademi, i cili kishte rastin më të mirë për të shënuar. Por, ndaj Azerbajxhanit ai shpreson se do të ketë më shumë fat dhe do të arrin të shënojë gol. “Nuk shënova ndaj Finlandës, por herën tjetër do të mundohem që të jem më preciz. Na duhet më shumë kohë , pasi kishte 7-8 futbollist që nuk i njihja. Sigurisht se në Ligën e Kombeve do të jemi gati dhe lidhja në mesfushë ishte mjaft e mirë”, tha Ademi.
Derisa, Aleksandar Trajkovski thotë se janë skuadër më kualitative se kundërshtari, por atë duhet ta dëshmojnë në fushën e gjelbër. “Në Antalia jemi gjashtë ditë dhe jemi më se të kënaqur nga kushtet për punë. Maksimalisht jemi përgatitur për sfidën me Azerbajxhanin. Kundër Finlandës luajtëm një ndeshje të fortë, ku kundërshtari ishte mirë i vendosur në fushë dhe ishin të disiplinuar. Kishim raste, por nuk i shfrytëzuam për fitore. Shpresoj se ndaj Azerbajxhanit do të luajmë më mirë dhe do të arrijmë rezultat të mirë. Mund të bartemi me ata dhe shihet se jemi skuadër më kualitative, ndërsa këtë duam ta tregojmë edhe në fushë”, deklaroi për faqen e FFM-së, Trajkovski.
Cekim, Maqedonia gjashtë ndeshje me radhë nuk din për humbje (tre fitore dhe tre barazime) nga ndeshja me Spanjën në qershor të vitit 2017 kur humbi me 1-0 në Shkup. Tani dëshira e futbollistëve është që të arrihet deri te triumfi i ri, pas së cilës do të jenë edhe më shumë të motivuar në prag të ndeshjeve në Ligën e kombeve. (koha.mk)