Shkup, 20 shtator – Seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll Igor Angellovski, po përgatitet për të bërë publike listën e futbollistëve me të cilët do të luajë dy ndeshjet e fundit eliminatore të Botërorit me Italinë dhe Lihtenshtajin, që do të luhen në tetor, por vëmendjen më të madhe e ka marrë Arijan Ademi. Mesfushori shqiptar i Dinamo Zagrebit, do të veshë sërish fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, pasi e përfundoi dënimin e dhënë nga FIFA dhe UEFA në vitin 2015, për shkak të dyshimit se ka shfrytëzuar medikamente të ndaluara. Ademi zyrtarisht të drejtë loje ka nga 7 tetori, ashtu që në ndeshjen e parë me Italinë, më 6 tetor nuk ka të drejtë loje dhe kthimi i tij zyrtar në përfaqësuese do të ndodhë më 9 tetor në përballjen me Lihetnshtajnin, e cila do luhet në Strumicë.
Nga FFM-ja, për “Alsat-M”, thonë se gjithçka rreth kthimit të Arijan Ademit në përfaqësuesen e Maqedonisë, do bëhet zyrtare të hënën kur edhe do të publikohet lista e futbollistëve që do luajnë në këto dy ndeshje të fundit eliminatore. Kujtojmë, mesfushori shqiptar në fillim të gushtit nisi përgatitjet me skuadrën e tij dhe pritet që në mes të tetorit të luajë ndeshjen e parë edhe atë më 14 gusht në derbin Dinamo – Osijek. Ademi në fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, ka zhvilluar katër ndeshje.