Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane Arbër Ademi mori pjesë në konferencën rajonale të titulluar “Raporti i KE-së për vendet – reformat aderuese për Ballkanin Perëndimor” në Podgoricë, e cila paraqet vazhdimësi të iniciativës e cila filloi në Maqedoni në vitin 2015. Qëllimi i konferencës është këmbimi i përvojave dhe propozimeve midis përfaqësuesve të vendeve të rajonit dhe Komisionit Evropian për elementet kyçe të pakos së zgjerimit.
“Zgjerimi mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë ndërkaq Raportet e Komisionit Evropian janë dokument në të cilën bazohen gjitha reformat të cilat duhet të zbatohen”, theksoi Ademi. Gjithashtu, thuhet në kumtesën e SÇE-së, pjesëmarrësit në konferencë kanë konstatuar se është e rëndësishme të vërtetohet perspektiva evropiane për rajonin sepse ajo paraqet nxitjen kryesore për zbatimin e gjitha reformave të domosdoshme.
Lidhur me metodologjinë e re të cilën Komisioni Evropian e përdor për vlerësimin e përgatitjes së vendeve në procesin e aderimit, zëvendëskryeministri Ademi theksoi se kjo qasje mundëson të dy palëve, të vendeve kandidate dhe KE-së, të kenë pasqyrim më të mirë në shkallën e përgatitjes së çdo vendi veçmas, si dhe sfidave. Në konferencë është diskutuar edhe për procesin e Berlinit dhe agjenda për lidhshmërinë si mekanizëm për lidhjen infrastrukturore të vendeve të rajonit.
Në kuadër të qëndrimit në Podgoricë, Ademi realizoi takim bilateral me ministrin malazez për Çështje Evropiane Aleksandar Andrija Pejoviq, ku u konstatuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe interesi i fuqishëm i vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit në pjesën e integrimeve evropiane. Në këtë kontekst, në veçanti u theksua përvoja pozitive për bashkëpunim në kuadër të komitetit të përbashkët Maqedoni-Mali i Zi. Zëvendëskryeministri Ademi gjithashtu u takua edhe me ambasadorin Mikele Xhakomeli, përfaqësuesi special i Italisë për Procesin e Berlinit. Gjatë takimit janë diskutuar përgatitjet e ardhshme të Samitit, i cili do të realizohet në Itali dhe është potencuar rëndësia e këtij procesi për thellimin e bashkëpunimit rajonal.