Shkup, 14 shkurt – Fondacioni për zhvillimin e Arsimit dhe Kulturës – ALBIZ në vazhdimësi promovon shkallë të lartë të vetëdijes shoqërore dhe përgjegjësisë së kompanive anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, të cilat gjegjësisht janë themeluese të saj dhe të cilat me përkushtim angazhohen për zhvillimin e më shumë sferave si arsimin formal, edukimin joformal, sportin dhe kulturën.
Këtë e theksoi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në ndarjen e bursave për studentët të cilët Fondacioni ALBIZ i siguroi për vitin akademik 2017/208, duke shtuar më pas se përgjegjësia dhe pritjet për ngritjen e standardeve për cilësi në sistemin arsimor janë më të koncentruara në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Theksoi se në gjithë këtë proces me rëndësi të veçantë janë angazhimet dhe aktivitetet e të gjithë faktorëve shoqërorë, të cilët kanë interes, dëshirë dhe mundësi të ndihmojnë në çfarëdo mënyre drejt përforcimit të procesit edukativo – arsimor në vend.
Ai iu falënderua Fondacionit, që edhe sivjet ndau mjete financiare për mbështetjen e të rinjve të cilët kanë vendosur të fitojnë njohuri akademike, duke e theksuar si shembull pozitiv shoqëror dhe duke dëshiruar që tradita e ndarjes së bursave për nxënësit dhe studentët të vazhdojë edhe në periudhën që pason.
“Më vjen mirë që së bashku e plotësojmë dhe e zgjerojmë sistemin e bursave të cilin e ka ndërtuar MASH dhe i cili ofron dhjetëra lloje të bursave dhe të mbështetjes financiare për kategori të ndryshme të nxënësve dhe studentëve nga Republika e Maqedonisë të cilët vendosin të arsimohen në vend dhe jashtë vendit. Prej bursave për nxënësit dhe studentët të cilët vijnë prej familjeve me status social dhe material jo të mirë, deri tek bursat për nxënës dhe studentë të cilët kanë talent të jashtëzakonshëm dhe janë regjistruar në ndonjë institucion arsimor të lartë botëror, në ndonjërin prej 100 universiteteve më të mira botërore”, tha Ademi.
Shtoi se Qeveria tashmë ka vendosur që të vendosen edhe lloje të reja të stimulimit financiar për edukimin e të rinjve, duke i theksuar bursat e studentëve të cilët do të vendosin të regjistrohen në programet studimore për mësimdhënës klasor.