Ademi merr mbështetje nga krerët e Federatave të huaja, suedezët e paralajmërojnë vizitën në Kosovë

Pas institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat e ndërruan mendjen së fundmi dhe ia dhanë “aminin” mandatit katërvjeçar të Agim Ademit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka marrë mbështetjen edhe nga Federatat e vendeve të tjera të Evropës.

Në fakt, kreu i futbollit kosovar në Varshavë të Polonisë, i shoqëruar nga nënkryetari i FFK-së njëherësh anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Bakir Burri, është takuar me presidentin e Federatës Suedeze të Futbollit, Karl-Erik Nilsson, me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, Fernando Soares Gomes da Silva dhe me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Krerët e këtyre Federatave e kanë konfirmuar mbështetjen për Ademin, i cili në Varshavë pritet të takohet edhe me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe me atë të UEFA-s, Aleksander Ceferin.

Presidenti i Federatës Suedeze, Nilsson e ka shprehur dëshirën që ta vizitojë FFK-në në shkurt të vitit të ardhshëm bashkë me Komitetin Ekzekutiv të Federatës Suedeze. Kjo do të ishte praktika e parë e vizitës së një Federatë në FFK.

Suedezët duan ta shohin FFK-në nga afër, organizimin dhe punën që po e bën shtëpia e futbollit kosovar. Suedia ka ndihmuar në të kaluarën dhe do ta ndihmojë edhe në këtë rast FFK-në në fusha profesionale dhe në infrastrukturë.

Ademi dhe Burri e pritën me shumë dëshirë lajmin për vizitën që do t’ia bëjë FFK-së Federata Suedeze e Futbollit.