Shkup, 26 mars – Për shkak të pandemisë me Koronavirusin, pothuajse nuk ka klub i futbollit në botë që nuk po pëson humbje financiare. Skuadra e njohur kroate Dinamo Zagreb ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm, luajti në grupet e Ligës së kampionëve dhe përfitoi një shumë të mirë të parave në Ballkan. Megjithatë, për shkak të ndërprerjes së kampionateve, drejtuesit e Dinamo Zagrebit paralajmëruan se janë të detyruar ti shkurtojnë rogat e të gjithëve në klub, përfshi edhe futbollistët e ekipit të parë.
Në fakt, vendimi i klubit është që të ketë ulje të rrogave për të gjithë ata që përfitojnë më shumë se një mijë euro në muaj. Ky vendim i njerëzve të parë të Dinamos aspak nuk u prit mirë nga futbollistët dhe anëtarët e stafit teknik.
Sipas mediave kroate, futbollisti shqiptar Arijan Ademi, i cili është edhe kapiten i skuadrës, së bashku me shokët e skuadrës dhe trajnerin Nenad Bjelica nuk e kanë pranuar propozimin se pajtohen për uljen e rrogave.
Gjithashtu mediat kroate zbulojnë se futbollisti më i shtrenjtë i Dinamos është Mario Gavranoviq me 800 mijë euro në vit, pastaj pasojnë Dominik Livakoviq me kontratë me vlerë prej 750 mijë euro në vit, ndërsa futbollisti shqitar Arijan Ademi në vit fiton 600 mijë euro. Asnjëri prej futbollistëve nuk është pajtuar që të ketë ulje të rrogave, kështu që mbetet të shihet se cili do të jetë hapi i radhës i drejtuesve të Dinamo Zagrebit. (koha.mk)