Shkup, 15 maj – Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi apelon deri te prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët pas vendimit të djeshëm të Qeverisë për marrje të dokumentacionit për regjistrim të nxënësve në klasën e parë, me ç’rast do të regjistrohen vetëm ata me vërtetim se i kanë marrë vaksinat e domosdoshme, njofton Koha.mk
Ademi paralajmëroi se do të përcillet situata dhe nëse ka nevojë krahas vaksinimit në terren do të hapen edhe pika për vaksinim në shkollat në interes të shëndetit publik, duke pasur parasysh epideminë e shpallur të fruthit.
Në seancën e Qeverisë është diskutuar për disa modalitete, por, siç theksoi Ademi, përballemi me dy vlera themelore të garantuara me Kushtetutë – të drejtën e arsimit që është e garantuar, e domosdoshme dhe falas dhe të drejtën e shëndetit të çdo fëmije gjegjësisht qytetari.
Në një koment të rasteve eventuale nëse nuk dorëzohen kartonat e domosdoshëm vaksinal , Ademi u referua në vendim të Gjykatës Kushtetuese nga para disa viteve se nuk bëhet fjalë për diskriminim nëse si kusht për përcjellje të procesit arsimor kërkohet deponim i vërtetimit se fëmija i ka pranuar vaksinat e domosdoshme.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, ministri i Arsimit theksoi se janë parashikuar gjoba kur fëmija nuk është pjesë e arsimit fillor. Për këtë duhet të ngrihet vetëdija, duhet të kemi besim në institucionet dhe në sistemin shëndetësor që të vaksinohen fëmijët sepse të gjithë e dimë e situatën. Edhe për momentin derisa flasim në institucionet shëndetësore ka fëmijë që përballen me këtë problem”, theksoi Ademi. (koha.mk)