Shkup, 13 prill – Qeveria ka vendosur ta ngrejë në nivel më të lartë institucional, çështjen e diasporës dhe shteti të përkushtohet në ndërtimin e besimit me diasporën, theksoi në tribunën e sotme, ministri pa portofol i obliguar për Diasporën, Edmond Ademi.
“Dëshirojmë që diaspora të identifikohet me shtetin, e jo me partitë që ishte rast në 20 vitet e fundit… Kemi vënë re se në Maqedoni në vitet e fundit nuk ka ekzistuar strategji për bashkëpunim dhe marrëdhënie me diasporën, që nuk është rast me shtetet e rajonit dhe më gjerë. Prandaj nga fundit i muajit gusht të vitit 2017, Qeveria solli konkludim për formimin e grupit të punës i cili do të punojë në përpunimin e Strategjisë nacionale për bashkëpunim me diasporën”, tha Ademi në tribunën për përforcimin e lidhjeve me diasporën e Maqedonisë.
Ai informoi se Strategjia nacionale pothuajse është finalizuar dhe pritet gjatë qershorit të këtij viti ajo të hyjë në procedurën qeveritare. Strategjia nacionale bazohet në katër shtylla kyçe: politike dhe aspekte administrative, diaspora dhe zhvillimi ekonomik, arsimi, shkenca dhe rinia dhe lidhjet kulturore, identiteti kulturor dhe trashëgimia kulturore.
Ademi përkujtoi se nga fundi i vitit 2017, Qeveria solli Program për rritje ekonomike të shtetit, ku përveç investimeve të huaja të cilat në të kaluarën kishin beneficione, tani edhe investuesit e vendit dhe investuesit nga diaspora i kanë të drejtat e njëjta kur do të vendosin të investojnë në Maqedoni.
Sqaroi se para dy javësh është sjell edhe Ligji për mbështetjen e investimeve, të propozuar nga Ministria e Ekonomisë. Me nenin 33 në ligj, investimet nga diaspora marrin mbështetje nga shteti. Ata do të marrin 10 për qind shtesë me qëllim që të tërhiqen për të investuar në shtetin e vet.
Organizatori i tribunës, kryetari i Qendrës për mbështetje inovative dhe logjistike të qytetarëve “Kontakt i ri-Maqedoni” Zlatko Nikolovski tha se janë në dijeni se bashkatdhetarët tanë nuk do të mund t’i kthejmë mbrapa. Nga përvoja e tyre, bashkatdhetarët tanë më së shumti ankohen për informim dhe pyesin për lehtësimet administrative ndaj tyre.
Sipas tij, shteti në periudhën e fundit ka bërë hap serioz. Në vitin 2011 për herë të parë diaspora ka marrë mundësi për të pasur deputetë, por ai mendon se ata kanë mundur të bëjnë diçka më shumë.
Në funksion është ueb faqja www.diaspora.gov.mk, ku do të publikohen të gjitha aktivitetet, masat të cilat do të realizohen dhe janë në interes të diasporës.