Shkup, 16 tetor – Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se procesi i djeshëm zgjedhor u zhvillua në frymë demokratike, të besueshme dhe të lirë, ndërsa populli gjithmonë është në të drejtë, tha zëdhënësi i BDI-së Arbër Ademi. ‘Ashtu siç lajmëruam edhe mbrëmë, më lejoni që të rikonfirmoj mbi 100.000 vota të qytetarëve për Bashkimin Demokratik për Integrim, edhe për listat e këshilltarëve të partisë sonë edhe për kandidatët tanë për kryetar komunash veçmas. Kjo fitore plebishitare u takon juve dhe ne ju shprehim mirënjohje që edhe një herë, për të 11 herë radhazi, ju e dhatë besimin tuaj për Ali Ahmetin, për BDI-në dhe për ofertën më të mirë. Sot, edhe Komisioni shtetëror zgjedhor konfirmoi që Bashkimi Demokratik për Integrim është partia e parë dhe më e votuara në:Kërçovë, Tetovë, Gostivar, Çair, Dibër, Saraj, Likovë, Tearcë, Bogovinë, Vrapçishtë, Dollnen, Pllasnicë Zhelinë dhe në këshillat e gati se në të gjitha komunat ku ne garojmë, ndërsa në balotazh do të ngadhënjejmë edhe në Strugën tonë”, tha Ademi. “Këtë vullnet absolut të qytetarëve në komunat përkatëse do ta rikonfirmojmë bashkërisht në rrethin e dytë dhe ashtu siç ishim transparent gjer më sot dhe në bashkëpunim të plotë me qytetarin, ashtu do të vijojmë edhe drejt fitores përfundimtare më 29 tetor. Vullneti juaj ndërton politikat tona dhe vlerësimi juaj është obligim për ne. Ju faleminderit mbi 100.000 herë” përfundon Ademi.