Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, mbajti fjalim në Konferencën e katërt vjetore të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike të cilën, në dy ditët në vijim, e organizon Universiteti i Tetovës – konferencë kjo kushtuar bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë dhe shkëmbimit kulturor si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve nga Gadishulli Ballkanik.
Duke folur për rëndësinë e ekzistimit të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit, ai theksoi se ky asociacion është ndër organizatat kryesore përmes të cilave mund të kontribuohet në arritjen e qëllimit – ngritjen e cilësisë së arsimit që ofrohet në Gadishullin Ballkanik.
“Institucionet e arsimit të lartë që janë anëtarë të së kësaj organizate kanë një vizion konkret dhe një platformë të definuar qartë të aktiviteteve. Por, kjo nuk do të thotë se nëse është definuar një herë ajo nuk duhet të ndryshojë. Përkundrazi, pikërisht për këtë organizohen këto konferenca, takime dhe debate – për të shkëmbyer mendime dhe përvoja, për të parë nevojën për plotësimin dhe korrigjimin e mundshëm të drejtimit të veprimit – nëse ka, dhe ndryshime në rrjedhat e hapësirës arsimore globale”, ka potencuar z/ministri Ademi.
Ai më tej ka shtuar se nga kjo konferencë pret të dalin shumë përfundime të përgjithshme në lidhje me sfidat, për të cilat, sipas tij, së bashku do të veprojmë në periudhën në vijim dhe në konferencën e ardhshme do të përmblidhen rezultatet pozitive.
Të pranishmëve ai u dëshiroi punë të mbarë dhe bashkëpunime e miqësi të reja me të cilat, sipas tij, përmes arsimit më të mirë do të sigurohet një e ardhme më e mirë për qytetarët e Gadishullit Ballkanik.