I ulur në krye të Odës Adem Jashari tregon rëndësinë e Festës së 28 Nëntorit për familjen e tij në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi. Kjo festë njëherësh shënon ditëlindjen e gjyshit të tij, komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit, si dhe daljen e parë publike të kësaj Ushtrie. Ai tashmë është rritur e shkon në shkollë të mesme në gjimnazin “Hamëz Jashari” dhe thotë se me krenari e bart emrin e gjyshit. Në një rrëfim për gazetën “Zëri” nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, i cili po ashtu bart emrin e këtij të fundit, thotë se gjithë familja është krenare me paraardhësit e tyre. “Pa dyshim ndihem shumë krenar dhe me përgjegjësi shumë të madhe e barti këtë emër, emrin e gjyshit tim Adem Jasharit. Sipas tregimeve të familjarëve, ne të gjithë pasardhësit, ne që mbajmë emrat e tyre ndihemi krenarë ta bartim këtë emër sa me më përgjegjësi, të mësojmë, të shkollohemi dhe amanetin e të parëve ta çojmë në vend”, u shpreh kështu Adem Jashari. Ai tashmë ka bërë plane për studime – edhe atë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.