Nga Adelina MARKU
Iu ktheva dashnis s’vjetër! Kolumneve! Ashtu e nisa veten, përmes shkrimeve n’gazeta. Kjo ishte dashnia ime e parë! E fort, sa n’asht ngjit m’u kap! Kolumnet n’Prishtinë! Atëherë, i besoja fjalës, idesë, poezisë, dashnisë, mikut, protestës, revolucionit, Kombit…Shtetit? Ah jo, nuk i besoja shtetit. Unë nisa dashnin për shkrimin në shtet që u shkatërrua dhe pa më pyetur kush, m’rrethuan me shtet t’ri , zvarrë tërhequr nga ai konglomerat që rra si domino! Pastaj po aq t’vështirë e kisha t’i besoja shtetit të ri. Thu ti se më mbet hatri përse s’më pyetën edhe mua atij referendumit me pyetje ambiguine, por vetëm më të vjetrit nga unë! I vjetri iku, u bo copë e grim pa i besuar unë dhe ashtu e pa zënë besë, m’u deshtë t’a pranoj jetën në shtetin e ri. Hmmm, e keni menduar ndonjëherë këtë traumë ? E quajnë psikologët: TRAUMË. Unë po ju pyes nëse e keni menduar ndonjëherë më gjatë e më thellë se si ndodhi KALIMI yt rrethuar n’ kufij të ri ? Do gjeni shumë përgjigje dilemave tuaja t’ brendshme se përse ndiheni ende pezull disi! Pa gjetur përgjigjet vet, s’do jeni rehat kurrë!
Çdo gjë ka të bëjë me Kalimin e Madh!
U derdh gjak! Shumë gjak! Por ende nuk marr guximin t’i flas time bije se gjenerata ime ishte pjesë e shtetit të madh që nuk koaguloi mjaftueshëm gjakun, e kur ky shtet i madh u bë cop e grim e pa pik mëshire la të rrjedh gjaku – gjenerata ime u shpërnda si pluhuri i barutit , gjithandej…Kisha çaste kur mendoja se të gjithëve na përbiu toka, sikur u shpërbëmë, një zombizëm ky trishtues, biles ndjeja lukthin tek më tërhiqej përbrenda nga frika se kush do krijonte vazhdimësinë e kombit- për të cilin im atë lente kryt! Ose ose, kush do i mblidhte kujtimet more, kush do e shkruante historinë e gjeneratës sime se?! Unë !? Çfar’ ngarkese, unë s’di për historinë!!!
“Kombi bij, kombi!”- alamet amaneti më la im atë! Dridhem kamb e kry edhe tani kur e kujtoj dhe e shndëroj “fët e fët” këtë amanet në TABU! E kam më lehtë! Çka u bë me kombin Bab’? Ngre supet, tërheq këndet e buzëve teposhtë, ngrys vetullat disi dhe vet’përgjigjem: S’DIJ!
Pastaj (përsëri gjenerata ime a), ishte ajo tema Shteti Komb, apo Kombi Shtet! Phuu sa i koklavitur pa gjene më dukej ky binom. Përsëri Babai im: “Modeli gjerman bijjjj!”. Si nëpërdhëmbë ngjitqiellzës e zgjaste këtë “jjjj” Ai , e ndjeja, kish guxim ende! Unë, shndërohesha në Hamlet, herë shtrirë përtoke, herë ngritur më këmbë fantazish! Më duhej t’a thjeshtësoja kuptimin e çiftit Shteti Komb apo Kombi Shtet, që s’bën njëni pa tjetrin. Diku diku befnin do troha debatesh t’zymta mbi multikulturalizmin si opsion shpëtimi , por ishin si pshtymthka që të dalin nga goja bash kur ban ftoft pisk! Thu ti t’pshtjellohen me qyrrat e ligavesh n’këtë lamsh langjesh, qyra – liga! E dini se përse këto debate ishin si pshtymthka , si ligthka e qyrra? Sepse edhe ata që shkruanin mbi këtë opcion, tybe në i besonin…!
Multikulturalizmi është i kushtueshëm, do “nacionalizëm” ekonomik, do dashuri për veten, për Shtetin, njeh konkurrencë legale, lirinë ndërkulturore e shpall majave të demokracisë …Kush do bënte more multikulturalizmin? Ata që vuanin nga “multiple disorder of political personality”, ata që zhvishnin brekë partiakë dhe vishnin do tjera n’ çast, ata që bëheshin nga radikalënacionalistë në liberalë, ata që gënjejnë se kauza e gjakderdhjes mes popujve bëhet me qëllim dashurie më të fortë pastaj?!
Broçkulla! …Ku t’a ngjis besimin se?
Kështu nisi e vazhdoi jeta në shtetin e ri, përmes ndërgjegjes rrenë! U barazu vetëdija me nënvetëdijen! Lesh Arapi i thon’! Por, po deshe të ishe “cool”- mundeshe të flasësh për multikulturalizmin ! Bile edhe gratë më të shëmtuara kur flisnin për multikulturalizimin, thu ti mernin një sharm multikulturor! Asnjëanësh a, as e bukur as e shëmtuar! Cool a! Se mo burrat, ato pa gjene boheshin si pa gjini…! Burra pa tope.
Pastaj kur edhe konflikti i 2001-shit u bo për këtë sharm multikulturor (u derdh gjak a, që të duhemi më shumë në paqe!?), unë e gjeta veten të dalur mode! Isha anakronike, isha jo-cool, isha nacionaliste (!?), yyyy sa vulgare… “Babai yt kish ndjekur shkollë nacionalistësh! ” – shkruanin, aty te Dosja e tij!? Unë e dija liberal t’em atë! Shteti më thotë tjetër gjë!? Kush ishte më i forti, Shteti ose Baba në mua!? Ç’ishte kjo shkollë e tollovitur, të kish gabuar kaq shumë im atë, ai vazhdimisht thoshte se është Kushtetuta burimi i konfliktit, po- ajo copë letre parimesh Sovrani krijonte ngërçin artificial në shoqëri! Ai ishte Liberali i Madh, këta rreth tij kishin lëpirë dëngla e ishin ngjitur posteve! Ore, isha ngulur në TRAUMËN e dytë a! Çdo gjë ka të bëjë me Kalimin e Madh, përsëri! Por ky i 2001-ishit ishte tip kalimi KALIMTH- një si tip stuhie, aty vrap u ngjitën të gjithë multikulturorët, (pseudo)nacionalistët e djeshit, të gjithë gratë e bukura e të shëmtuarat, të gjithë burrat dikur me tope e tuj bo vrapin e posteve kishin hup kambësh topet, të gjithë gazetarët bon namin tuj sha nacionalistët ( ashtu na quanin , vulgarët ishim ne, primitivë!), por ama për TRAUMËN e 2001 – nuk folëm. Ashtu si temën mbi kombin, e bëmë “fët e fët” temë TABU!
S’morëm vesh gjë! Pastaj kishin gabuar ata që thoshin se revolucioni i han fëmijët e vet! Përmes revolucionit bënë barqet më të mëdhenj se vetë Buda, revolucionarët! Shpallën Nirvanën edhe atëherë kur ekonomia shkoi në djall!
Dhe pastaj, qeverisjet shkonin e vinin! Askush nuk foli për TRAUMAT, askush nuk i hapi TABUTË…të gjithë neve luajmë multikulturorët, dhe multikulturalisht vjedhim shtetin. Pse ky qenka multikulturalizmi?! Është sikur prioritet strategjik i koalicioneve një pas një: Vjedhja e Shtetit! Pastaj filluam multikulturalisht t’a zbrazim shtetin nga të rinjtë! Gjersa e shkretuam mirë e mirë! Tani jemi në fazën: Gishtin në gojë! Elhamdulilah-u biles u bë pjes e politikës! Thu ti se i kryjtëm të gjitha fazat e një procesi normal politik zhvillimor dhe na mbet keq feja jashtë politikës. Huxhum, huxhum edhe fenë në politikë! Ja kështu neve, guxuam edhe me fenë a. E bëmë pjesë mitingjesh politike, e nxorën nga shtëpia e fesë – nga Xhamia, fët e fët, kush ma shumë e kush ma pak -ama nga një copëz Elhamdulilahu e thonim se! Unë që mbaja veten shqiptare me fe, isha e pa mend, ç’ne kjo “shqiptar me fe !?”. Po cili na qenka Pejgamberi jot se? – dëgjoja cinizmin e atyre që sollën padrejtësisht fenë në politikë. Iu thosha unë: Kombi, Gjuha, Kultura…
Më shpallën të marrë! (ndoshta dhe isha …!) Po unë?! Po gjenerata ime!? A jam zombizu apo hamletizu…!? Denatyru do thosha, as Zombi por as Hamlet kemi mbetur! Jemi ngulur në një zonë ku vetëm mençuri nuk ka, çdo gjë tjetër ka! Epsh! Kur mungon mençuria, bëhemi të gjithë neutralë! Pa ide rezistuese, pa kapacitet thithës madje, pa resurse zhvillimore! Pa Fe, pa Komb! …Biles më duket vetja se në zgjedhjet e ardhshme tuj dasht me ngjall Hamletin do bëj vrap mu si ajo italiania që i kish dal Berluskonit me gjinjtë jashtë, thu ti se do e trembte magnatin miliarder të hedhë votën për veten. Problemi është se nuk iu trembet kush gjinjve të zhveshura të një Nane plot revolt para kutive t’votimit, sepse të gjithë ata të rinj që pinë tamblin nga gjini i nënave tona, ikin, ikin masivisht. S’ka respekt për gjinjtë e Nanës ma! Thu ti, edhe fëmijët i kemi tepër! Mjafton të bëhemi ministra, ministresha, deputetë e drejtora….hahahahhaaaa, Adelinë ç’të panë syt’!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA. Pikëpamjet e autores janë individuale dhe nuk paraqesin qëndrime të institucionit ku punon)