Këngëtare e zonja por edhe menaxhere e mirë e marketingut. Është kjo Adelina Emini, vajza e cila vjen e rrëfehet këtë herë në InfraRed të gazetës KOHA, duke treguar gjithë punën e saj që bën. Për të njohur më shumë atë dhe jetën e saj, mjafton të lexojmë intervistën në vazhdim pasi i ka thënë të gjitha vetë…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ke krijuar një identitet muzikorë në skenë, kush është në fakt Adelina jashtë skenës?
Jashtë skenës jam një femër që punoj shumë. Jam shumë e dhënë pas profesionit tim, aty ku jam duke mbaruar edhe studimet e Doktoraturës, në degën e marketingut në Universitetin e Prishtinës. Jam e punësuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) në cilësinë e Analistes së Tregut të Marketingut. Jam drejtoreshë dhe ligjëruese ne “Academy for Science and Leadrship” në Zvicër për territorin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Përpos punës, jam e përkushtuar edhe ndaj familjes dhe miqve të mi. Ndërsa, kohën e lirë e kaloj duke lexuar, udhëtuar… Kjo është Adelina jashtë dyerve të skenës.
KOHA: Po pasioni për muzikë si ka nisur?
Ka nisur që moti, por, ai u bë akoma më i fortë në momentin kur vendosa që të konkurrojë në edicionin e atëhershëm, “Ethet e së premtes”. Përpos që dëshmova talentin tim përpara një jurie profesionale dhe publikut, ia “ridëshmova” edhe vetes se muzika do jetë gjithmonë pasioni im që më mbushë shpirtin.
KOHA: Mbani mend këngën e parë që keni kënduar?
Kënga e parë ishte “Batania” e komponuar nga Armend Regjepagiqi me tekst të Aida Barkaut.
KOHA: Cili është zhanri që parapëlqen më së shumti?
Në fakt, baladat janë ato që ndihem më së miri por që nuk i përjashtoj dhe këngët ritmike, pra, POP argëtuese.
KOHA: I këndon dashurisë?
Padyshim që po. Dashuria është ndjenja më e bukur në botë, është ndjenja që ia vlen t’i shkruhet e t’i këndohet. Madje, në momente zhgënjimi e dhimbje, një këngë dashurie është “ilaçi” më i mirë i shpirtit. Dhe po, në këngët e mija çdoherë do zë vend dashuria, e shfaqur në forma të ndryshme.
KOHA: Si e keni nisur këtë vit?
Mjaft mbarë. Edhe pse nuk kaloi shumë nga fillimi i vitit, por, duke qenë se 2018-ën e përmbylla me shumë suksese, si në fushën profesionale, ashtu edhe në muzikë, pasi lansova projektin tim, baladën “Nuk je ti” që u pëlqye nga ana e publikut, edhe fillimviti ishte mjaft i mirë, i mbushur me energji dhe pozitivistet, që po më shoqëron edhe në këto ditë.
KOHA: Kush është mbështetja jote kryesore?
Familja ime padyshim, saktësisht motra ime Njomza Emini. Njomza është personi që unë i mbështetëm për çdo gjë, këshillohem nga ajo dhe është “partnerja ime në krim” do thosha (qesh). Por, padyshim që edhe dashuria që ma dhurojnë ndjekësit e mi dhe miqtë është një pikë ndihmese dhe mbështetëse. Bota bëhet edhe më e bukur kur ke pranë vetes njerëz që të duan pa asnjë kusht.
KOHA: Ku i punon projektet muzikore dhe planet për këtë vit?
Kam bashkëpunuar me kompozitorë të ndryshëm mirëpo kohës së fundit baladat m’i ka punuar kompozitori shumë i dashur për mua, Darko Dimtrov, baladat cilit pëlqehen çdoherë.
KOHA: Çfarë mendoni për këngëtarët e rinj dhe prurjet e reja muzikore, si dhe mesazhi për ato?
Tregu ynë muzikor ka vend për të gjithë ata që kanë talent, prandaj, mendoj se ka vend për të gjithë. Mesazhi është që të ndjekin secili ëndrrën e vet dhe duhet edhe shumë angazhim e shumë dashuri për çdo punë që i qaset secili.