Fituesja e “Miss Teen Universe Albania 2019”, Adela Cani do të marrë pjesë në “Miss Teen Universe 2019” i cili zhvillohet në Mexico në muajin nëntor. Konkurrentja shkon në datë 1 nëntor për një periudhë prej 6 ditësh ku do të realizohen foto në disa pika turistike më të bukura dhe të preferuara në Meksikë dhe përmbyllet në datën 6 nëntor me kurorëzimin e fitueses së “Miss Teen Universe 2019”. Këto e shumë gjëra tjera Adela i flet për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Adela, çfarë të solli në Miss Teen Universe Albania 2019? E prisje fitoren?
Gjithmonë kam dashur të marr pjesë në këtë kompeticion shumë njerëz më kanë shtyrë të vij këtu, ama prita deri tani që të jem më e pjekur dhe të jem në gjendje t’i bëja ballë emocioneve dhe çdo gjë me cilën do m’u desh të përballem gjatë këtij rrugëtimi. E kam ndjekur gjithmonë nga salla këtë kompeticion dhe jam ndjerë gjithmonë e emocionuar si të isha konkurrente, sigurisht emocioni është pjesë e pashmangshme, por dhe pjesa më e bukur sepse aty ku ka emocion ka një punë të madhe ku ti pret frytet e saj. Nuk e prisja fitoren por jam shumë e lumtur që mbaj kurorën e këtij spektakli bukurie.
KOHA: Si fituese e këtij kompeticioni ti do marrësh pjesë në “Miss Teen Universe 2019? i cili zhvillohet në Mexico në muajin nëntor. Çfarë ndjen kur mendon këtë pjesëmarrje tënden atje dhe çfarë pret nga ky eveniment i madh bukurie?
Nga ky konkurs sigurisht pres vetëm që të përfaqësoj veten denjësisht, të dal sa më mirë dhe sigurisht fitorja është ajo ç’ka ëndërrojmë të gjitha, por me rëndësi është të kënaqemi dhe të japim maksimumin.
KOHA: Adela, a mund të bësh një prezantim më të gjerë për publikun që do lexojë këtë intervistë tënden?
Ta nisim nga emri. (Buzëqesh) emrin e kam dhuratë nga kushërira ime pasi jemi një fis i mbushur me djem, e kur erdha unë në jetë ajo u gëzua pa masë dhe donte me patjetër të më vinte ajo emrin. Kur unë e kam pyetur se nga e gjeti këtë emër ajo më thotë se kur ishte në pritjen time ajo shikonte një film ku personazhi kryesor ishte një vajzë sundimtare, e zgjuar, e guximshme dhe shumë e bukur, dhe dëshironte që unë kur të rritesha të bëhesha si ajo ndaj edhe më vuri këtë emër.
KOHA: Familja jote përbëhet nga…!
Familja ime përbëhet nga katër persona mami, babi, vëllai më i vogël dhe unë. Mamaja ime punon dhe menaxhon një biznes që ne kemi afër shtëpisë, ndërsa babi është këngëtar, është i dhënë shumë pas artit dhe për këtë arsye ka ndikuar pak dhe tek vëllai pasi ai studion në Tiranë për piano.
KOHA: Si i ke marrëdhëniet me ta?
Kam një lidhje të veçantë me secilin prej tyre, mamaja ime është gjithmonë aty për çdo këshillë si femra-femrës. Babi po ashtu një mbështetje e madhe në çdo hap i cili nuk kënaqet asnjëherë me pak, dëshiron më të mirën nga ne dhe gjithmonë kërkon shumë e më shumë sigurisht për të mirën tonë. Tani qershia mbi tortë vëllai i vogël. Kemi katër vite diferencë, por kjo nuk ndikon aspak, ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer jemi më shumë si shokë dhe tregojmë e ndajmë çdo gjë me njëri-tjetrin, me pak fjalë është gjithçka për mua.
KOHA: Çfarë kujton nga fëmijëria jote?
Fëmijëria ime është një fëmijëri shumë e qetë e gëzuar plot lojëra dhe aktivitete me fëmijët sa nuk di kë të veçoj. Një nga periudhat më të bukura që të gjithë ne kalojmë. Një moment që do veçoja nga fëmijëria sigurisht është lindja e vëllait, jam gëzuar pa masë dhe më dukej sikur ishte shtuar një kukull tjetër në dollapin tim, e doja gjithmonë të lozja me të dhe pse prindërit gjithmonë më kritikonin dhe s’më lejonin shumë t’a mbaja pasi ishte shumë i vogël.
KOHA: Je energjike si natyrë?
Nisur nga fakti që shenja ime e horoskopit është shenja e Dashit, njihet si shenjë energjike dhe ndërrmarrës i sfidave të reja. Nuk i trembemi askujt dhe kjo është pikërisht çka na bën më të pushtetshëm.
KOHA: Je tip i shoqërueshëm?
Kam një rreth shoqërie shumë të ngushtë, por për ato që më rrethojnë bëjnë shumë për mua dhe gjithashtu jam aty në çdo moment për ta.
KOHA: Si e përkufizon karakterin tënd?
Përkufizohem si kokëfortë dua gjithmonë ti realizoj çka dua, por dhe shumë e ndjeshme si natyrë.
KOHA: Si është dita jote tani?
Dita ime tani prej tre vitesh ka marrë një formë tjetër pasi unë jetoj në Tiranë, studioj, merrem me aktivitet sportiv, dal me shoqet. Dua të them që është një vend shumë i zhurmshëm me plot të paprituara, ama i bukur e plot energji.
KOHA: Përtej modelingut cilat janë pasionet e tua?
Pasioni im ka qenë gjithmonë kënga dhe gjithmonë këndoja me babin kur ai bënte prova, por ka qenë ai që nuk më ka shtyrë ta vazhdoj këtë profesion pasi nuk i pëlqen dhe e shikonte që është një botë e egër që donte të bëje sakrifica të mëdha dhe për këtë e falënderoj pasi e shikoj sa e vështirë është bërë kjo fushë në ditët e sotme. S’është se mbeta mbrapa pasi un fillova kursin për kërcim dhe është një nga gjërat që e bëj më së miri më pëlqen shumë të kërcej dhe ndjej veten mirë aty. Muzika sigurisht lidhet në çdo pjesë të jetës, muzikën e dëgjoj në çdo moment dhe më pëlqen çdo rrymë muzikore, filmat po ashtu janë shumë të rëndësishëm për mua dhe thuajse çdo fundjave shkoj në kinema. Ata çka më pëlqejnë më shumë janë ato dramë-komedi-romantik.
KOHA: Çfarë është bukuria për ty?
Për mua bukuria është ajo ç’ka më pëlqen mua, ç’ka më bën të ndihem mirë së brendshmi, për mua bukuria nuk qëndron vetëm jashtë, ka shumë njerëz të bukur në shpirt dhe me zemër të madhe të cilët kanë vetëbesim, vlerësojnë veten për atë që janë dhe atë ç’ka kanë. Sigurisht për këtë e ndjej dhe unë veten të bukur sepse them çdo ditë në rregull do t’ja dal do t’ja arrij ç’ka dua, por jo vetëm sepse jam e bukur, por se jam e fortë dhe me një zemër të madhe.
KOHA: Cili është tipari që ti pëlqen më shumë tek vetja dhe do doje të ndryshoje diçka në pamjen tënde?
Pjesa ime më e fortë janë sytë e mi dhe buzëqeshja, ndihem shumë mirë me veten, s’dua të ndryshoj asgjë, s’ka asgjë perfekte as unë s’jam.