Një nënë e një nxënësi të klasës së katërt thotë se ata nuk kanë tabletë në shtëpi, prandaj fëmija i tyre nuk e ka tabletin as në shkollë. Ajo u shpreh se fëmija i saj shpesh përdor kompjuterin, por ai ju duhet më shumë dy fëmijëve tjerë më të mëdhenj
Zenel MIFTARI
Shkup, 14 tetor – Gati një muaj nxënësit e klasës së katërt janë duke mësuar nga tekstet digjitale përmes pajisjeve teknologjike. Prindërit shprehen se edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj me konceptin e ri të arsimit fillor me tekstet digjitale, adaptimi i fëmijëve të tyre është i vështirë. Pas prezantimit të Konceptit të ri të arsimit fillor, në publik pati shumë reagime si nga prindërit ashtu edhe nga mësimdhënësit. Derisa prindërit ishin më të zhurmshmit kundër këtij koncepti, ata publikojnë në rrjete sociale probleme në të cilat hasin fëmijët e tyre gjatë procesit arsimor. Prindërit në të shumtën e rasteve nuk fajësojnë mësimdhënësit, pasi që konsiderojnë se bashkë me fëmijët e tyre viktimë e këtij koncepti janë edhe ata (mësimdhënësit). Sipas tyre, realizimi i kësaj ideje kërkon përgatitje shumë më të madhe teknologjike dhe nuk duhet të shpejtohet. Pasi, siç thonë ata, si në shkolla ashtu edhe në shtëpi, fëmijët kanë mungesë të pajisjeve elektronike, pajisje të mjeteve digjitale të përshtatshme në shkolla dhe një sërë problemesh me të cilat përballen prindërit dhe fëmijët e tyre që janë nxënës të klasës së katërt.
Prindërit këmbëngulin të mbesin anonim për të mos i shkaktuar probleme fëmijëve të tyre gjatë arsimit. Një nënë e një nxënësi të klasës së katërt thotë se ata nuk kanë tabletë në shtëpi, prandaj fëmija i tyre nuk e ka tabletin as në shkollë. Ajo u shpreh se fëmija i saj shpesh përdor kompjuterin, por ai ju duhet më shumë dy fëmijëve tjerë më të mëdhenj. “Fëmijët në shkollë mësojnë nga një smart-tablet. Ndërsa në rast që bie interneti në klasë, tabela fiket, kështu që nuk mund të arrihet të marrin fëmijët shënime për gjithçka. Kështu që nga fillimi i këtij koncepti është hasur në vështirësi në implementimin e këtij koncepti, pasi që prindër që ju kanë siguruar fëmijëve tableta në shkolla janë vetëm një numër i vogël”, u shpreh ajo. Sipas saj, problemi lind gjithashtu edhe kur fëmija ka harruar të shkruaj diçka, ku pastaj duhet të konsultohemi me prindër të fëmijëve tjerë për ta kuptuar se me çfarë duhet t’i angazhojmë fëmijët për detyra shtëpiake. Absurdi më i madh, sipas saj, është se nuk ka tekste digjitale për lëndën e gjuhës angleze.
“Nuk ka libra të shtypur për këtë temë. Pra, gjithçka që ai duhet të bëjë është të mësojë nga ato që dëgjon dhe sheh në shkollë. Për fat të mirë, kemi libra shkollorë për fëmijët më të mëdhenj, kështu që mund të përballojmë më lehtë”, shpjegon ajo. Nga ana tjetër, një prind tjetër thotë se ka vendosur që fëmija i tij të ndjek mësimet online. Sipas tij, për momentin gjithçka është duke shkuar në rregull. “Kemi fotokopjuar librat shkollorë, sepse mendoj se një tabletë nuk mund ta zëvendësoj një libër shkollor edhe pse këto fatkeqësisht nuk i lejon mësuesi”, ka shtuar ai. Sipas tij, përmbajtja e teksteve shkollore në lenden e shoqërisë dhe ato në gjuhën shqipe janë skandaloze dhe dështim. Ndryshe, prindërit thonë se ajo që gjendet në libra dhe atë që e shënojnë fëmijët në fletoret e tyre nuk është e njëjtë dhe nuk përputhen. (koha.mk)