Efektin kryesor në sajim të vijërrëfimit dhe të ritmit, Valmiri vazhdon ta ndërtojë përmes ngjyrës. Është pikërisht mënyra e përdorimit të ngjyrës që rrit teatralitetin dhe temperaturën, atmosferën dramatike të pikturës së tij…
Nga Nora HALIMI
“Gjendja e krijimit është gjendje fiksimi. Kur nuk ja kemi filluar jemi të fiksuar, kur nuk e kemi përfunduar jemi të poseduar”, thotë poetja e madhe ruse Marina Tsvetaeva në traktatin e saj “Arti në dritën e ndërgjegjes”. Valmir Aziri vazhdon të jetë i “poseduar”nga pafundësia enjë horizonti drejt të cilit e mban hapin në një rrugëtim kompleks sa jashtë po aq edhe brenda vetes. Në një rrugëtim të ndërmarrë që në ekspozitën e parafundit të pagëzuar Ad Astra (Tek Yjet), për të vazhduar përpjekjen e tij për të zaptuar atë që nuk zaptohet kurrë, qiellin bashkë me banorët që qëndrojnë lundrueshëm hapësirave të tij, yjet, hënën dhe diellin. Kjo hapësirë ndëryjore është imazhi bartës që shfaqet dhe rishfaqet në variacione të ndryshme edhe në vëllimin e dytë të pikturave të Valmirit.
Ky imazh, ritmi, koha, atmosfera vizive, të gjitha janë mjete shprehëse me të cilat Valmiri e percepton realitetin dhe përtej-realitetin me të gjitha sfumaturat e ndërmjetme, duke u përpjekur të artikulojë pozicionin e tij karshi tyre.
Ky artikulim vjen përmes krijimesh që dëshmojnë për një udhëtim përfytyrimesh që të joshin dhe nga përballja me to të pushton një ndjesi shpërnguljeje pa vendmbërritje të caktuar. Është një krijim e rikrijim i vazhdueshëm raporti mes asaj që është dhe nuk është, mes reales dhe imagjinares, është një udhëtim me kah nga brenda dhe nga jashtë i vetë autorit dhe si i tillë, ky udhëtim është shumë personal. Por, megjithatë fuqia e artistit qëndron pikërisht në aftësinë e tij që rrëfimin e vet personal ta bëjë pjesë të një rrëfimi më të madh, të një rrëfimi universal. Universaliteti i temës që ka trajtuar Valmiri, e vendos spektatorin përballë një spektakli yjesh qe bien e ngrihen, përballë nebulash që“lindin yje blu” dhe jo vetëm, përballë“kometash që nuk vijnë”, përballë ndonjë“hëne të ngrysur” a “dielli që perëndon”, përballë asociacionesh e imazhesh që flasin për një vëmendje të përqendruar imagjinative të autorit që përcillet tek publiku përmes një gjuhe të ujdisur nga ngjyra, forma, tingulli, ritmi.
Efektin kryesor në sajim të vijërrëfimit dhe të ritmit, Valmiri vazhdon ta ndërtojë përmes ngjyrës. Është pikërisht mënyra e përdorimit të ngjyrës që rrit teatralitetin dhe temperaturën, atmosferën dramatike të pikturës së tij. Ajo vjen në simbiozë herë me dramën plot tension të hapësirës qiellore të mbushur me yje e herë me boshllëkun që krijon mungesa e tyre. Forma dhe përmbajtja veprojnë të njësuara në këtë lloj pikture.
Afërmendsh se gjuha e tij shprehëse është ndikuar nga simbolika religjioze dhe këtë e dëshmon një seri dikotomish që kanë ndikuar konceptin e ekspozitës, si drita dhe errësira, parajsa e ferri, amshimi e përkohshmëria, plotnia e zbrazëtia, shpirtërorja dhe fizikja, etj. Këto dyzime mbështeten edhe nga vet emërtimet e disa pikturave. Megjithatë, edhe përkundër këtyre dyzimeve, kjo seri pikturash vë theksin tek akti i krijimit, ngjizjes, tek ai i lindjes. Nga ky pikëvështrim, qielli duket i mbarsur, një zgavër e mbushur në pritje të ngazëllimit të krijimit të yjeve të reja që do të pushtojnë si hapësirën e qiellit, poashtu dhe hapësirën e pikturës së Valmirit.
Ekspozitat ngjallin gjithmonë kuriozitet dhe pritshmëri të natyrshme. Kjo ekspozitë nuk bën përjashtim nga ky rregull. Është gatuar e tillë për të ftuar në një përballje një publik sa kundrues, po aq edhe bashkëpërjetues, një publik të çliruar nga çdo interpretim parathënës, i lirë për të provuar ndjesitë që provokon piktura e tij.