Shkup, 8 qershor – Në galerinë nacionale në Shkup, sonte prej orës 19:00 do të hapet ekspozita “Ad Astra vol.2″ e Valmir Azirit”.
“Në udhëtimin e ndërmarrë nga ekspozita e fundit e quajtur Ad Astra (Drejt Yjeve), e vazhdoi gjurmimin e tij për ta pushtuar atë që asnjëherë nuk mund të pushtohet, qiellin, së bashku me banorët të cilët mbeten të qëndrojnë pezull në hapësirat e tij, yjet, hënën dhe diellin. Kjo hapësirë ndëryjore është bartëse e imazhit që paraqitet dhe sërish paraqitet në variacione në vëllimin e dytë të pikturave të Valmirit”, qëndron në paralajmërimin për ekspozitën.
Ceket se kjo ekspozitë e fton opinionin në përllogaritje, siç theksojnë “sa rezistues, aq edhe bashkëpjesëmarrës, publik i çliruar nga çfarëdo lloj interpretimi profetik, lirshëm t’i përjetojë senzacionet që i shkakton piktura e tij”.