Fiziku në limitin e rezistencës njerëzore, lodhje e pamatshme dhe duar në gjendje të mjerueshme. Fotografia e publikuar në Twitter nga kampioni olimpik në sportin e kanotazhit, Alex Gregory, është e frikshme. Britaniku ka qëndruar për orë tëra me doreza të lagura në duar pasi ka kaluar, bashkë me skuadrën e tij, disa javë duke bërë kanotazh në Polin e Veriut. Rezultati? Të çara, flluska në të gjithë pëllëmbën e dorës dhe një aventurë e ndërprerë, por jo para se të realizoheshin 11 rekorde botërore dhe të grumbulloheshin fonde për të ndërtuar një shkollë në Indi me projektin e tij. Megjithatë, pasojat mund të shihen qartë. Arsyeja e këtij misioni? Në korrikun e 2017-ës është organizuar një ekspeditë (The Polar Row) me dy qëllime: atë të përshkimit të zonës arktike polare nga Jugu në Veri dhe mbledhjen e fondeve për të hapur një shkollë në Himalaja.