Hashtagu #MeTooInceste ka vërshuar rrjetet sociale në Francë brenda pak ditësh. Kjo, pas fillimit të serisë së publikimit të dëshmive nga viktimat që rrëfejnë abuzimet seksuale brenda familjes. Gjithçka filloi pas ngritjes së akuzave për abuzim me fëmijë ndaj një eksperti të njohur politik në Francë
“Isha nëntë vjeçe… ishte babai im. Më përdhunoi deri në moshën 17-vjeçare”. Këto pretendime kanë nxitur Qeverinë në Francë që të zotohet se do të ashpërsojë ligjin ndaj përdhunimit të fëmijëve. Kjo, pas fillimit të serisë së publikimit të dëshmive nga viktimat që rrëfejnë abuzimet seksuale brenda familjes. Veprimet u nxitën pas akuzave për abuzim me fëmijë, që përfshinin një ekspert të njohur politik në Francë. Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se Qeveria shumë shpejt do të prezantojë masat e reja ligjore për të mbrojtur më mirë fëmijët, ndërkaq një projektligj ka nisur të diskutohet në Parlament me qëllim të ashpërsimit të ligjeve ndaj përdhunimit të të miturve, nën moshën 13-vjeçare.
Fushata nëpër rrjetet sociale ka nisur të shtunën nga aktivistët e grupit feminist #NousToutes në referencë për lëvizjen #MeToo, që nxiti debat në mbarë botën për ngacmimet dhe sulmet seksuale. Edhe thurja #MeTooInceste vërshoi rrjetet sociale për pak ditë. Në gjuhën frënge fjala “inceste” përdoret shumë si referencë për çfarëdo akti seksual mes anëtarëve të së njëjtës familje, përfshirë abuzimin e fëmijëve, nipave dhe anëtarëve të tjerë të rinj. Qindra persona kanë rrëfyer se si janë abuzuar seksualisht, kur ishin fëmijë. “Isha mes moshës 11 dhe 14-vjeçare. Ishte vëllai im. Tani jam 57-vjeçare dhe ende viktimë e asaj të kaluare”, ka shkruar një grua. “Isha vetëm 8 vjeç. Me mua abuzoi gjyshi”, ka shkruar një tjetër. “Edhe unë jam në mesin e shumë të tjerëve. Ndodhi mes moshave 6-7-8-vjeçare. Nuk më kujtohet”, ka shkruar një person në Twitter. Mijëra të tjerë shpërndanë postime dhe komentuan nën të njëjtën thurje.
PRINDËRIT E DININ, POR HESHTËN
Laurent Boyet, 49-vjeçar, ishte në mesin e atyre që postuan në Twitter. Është zyrtar policor dhe kryetar i organizatës “Les Papillons” (Fluturat) që lufton abuzimin e fëmijëve. Në vitin 2017, ai e botoi një libër për historinë e tij. Ka rrëfyer se mes moshave gjashtë dhe nëntë vjeçare ishte përdhunuar nga vëllai, dhjetë vjet më i madh. “Shpresoj se shoqëria do të ketë kurajën për t’u përballur me këtë problem. Nuk duhet ta largojmë fokusin nga ky problem”, ka thënë ai. Kur i rrëfeu nënës, 30 vjet pasi i nisi abuzimi, Boyet ka thënë se ajo i ishte përgjigjur prerë: “Të besoj, sepse edhe unë kisha dyshime”.
“Ia dërgova të gjitha sinjalet, i pranoi, por nuk bëri gjë. Në vitin 2021 nuk mund t’i mbajmë të heshtur njerëzit, duhet të veprojmë”, ka thënë Boyet. Organizata e Boyetit kishte vendosur gjatë muajit shtator kuti të postës nëpër shkolla, me qëllim që fëmijët t’i shprehnin shqetësimet e tyre nëpërmjet letrave. Ai thotë se disa prej letrave kanë nxitur veprim, përfshirë një akuzë për abuzim seksual. Aktivistja feministe që qëndron prapa fushatës #MeTooInceste, Madeline da Silva, ka thënë se “fëmijët po flasin, mirëpo problemi më i madh është se askush nuk po i dëgjon”. Ani pse fëmijët nuk flasin, ata shfaqin shenja se po vuajnë “dhe askush nuk është i trajnuar për t’i kuptuar ata”, ka thënë Da Silva.
TRAJNIMI I MËSUESVE
Për këtë arsye, lëvizja jo vetëm që po i përmirëson ligjet, por mbi të gjitha po bën thirrje për politika më të mira publike për fëmijët. “Sot e dimë se nëse i trajnojmë punëtorët socialë dhe mësuesit rreth parandalimit të dhunës, gjërat do të ndryshojnë dhe do të shpëtojmë jetë”, ka thënë ajo. Grupi i saj #NousToutes” nisi një peticion, duke i kërkuar Qeverisë që ta bënte të obligueshëm trajnimin sistematik për punëtorët rreth fëmijëve, përfshirë mësuesit, punëtorët socialë dhe zyrtarët e organizatave sportive e kulturore. U përkrah nga 36 mijë nënshkrime, dy ditë pasi u publikua në internet.
Debati për reagimin e Francës ndaj abuzimit të fëmijëve brenda familjeve nisi në fillim të muajit janar, me ngritjen e akuzave ndaj ekspertit politik Olivier Duhamel, në një libër të shkruar nga vajza e bashkëshortes, Camille Kouchner. Ajo e akuzoi Duhamelin se e kishte abuzuar vëllanë e saj binjak në vitet ’80, kur ishte 13-vjeçar. Disa grupe për mbrojtjen e fëmijëve po bëjnë presion për krijimin e një ligji që do të përcaktonte moshën ligjore, nën të cilën fëmijët nuk mund të pajtohen për marrëdhënie intime me një të rritur. Nën ligjin aktual të Francës, janë të ndaluara marrëdhëniet seksuale mes një të rrituri dhe të mituri nën moshën 15-vjeçare. Mirëpo ligji e lë të hapur mundësinë që një i mitur të jetë i aftë për marrëdhënie intime, duke mundësuar që disa raste të sulmeve seksuale të kenë ndëshkime më të lehta sesa ai i përdhunimit që është i dënueshëm deri në 20 vjet burgim.
Shumë aktivistë janë në favor të heqjes së statutit të kufizimeve kohore sepse trauma është aq e thellë, saqë duhen dekada që viktimat të mund të jenë në gjendje të flasin dhe të përballen me abuzuesit. Ligji i tanishëm i obligon viktimat që ta raportojnë dhunën deri në moshën 48-vjeçare. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se studimet ndërkombëtare kanë treguar se një në pesë gra dhe një në 13 burra janë abuzuar seksualisht, kur ishin fëmijë. Ekspertët pretendojnë se abuzimet seksuale shpesh nënvlerësohen nga sekreti që rrethon problemin.