Evis HALILI
Shkup, 20 shkurt – Për të gjitha parregullsitë e konstatuara në Programin për financimin e projekteve me interes nacional, Ministria e Kulturës është e gatshme të ndërmarrë hapat e duhur për marrjen e përgjegjësisë. Kështu ka deklaruar ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski i pyetur lidhur me rastet abuzive dhe parregullsitë në një sërë projektesh të miratuara në Konkursin vjetor. Allagjozovski ka shtuar se ministria ka kërkuar mendim edhe nga Antikorrupsioni dhe po ashtu është e hapur për të bashkëpunuar edhe me Prokurorinë publike dhe institucione të tjera nëse një gjë e tillë do të lipset.
“Ne nuk fshehim asgjë dhe as nuk e shmangim përgjegjësinë. Thjesht i apelojmë edhe një herë të gjithë qytetarëve, të punësuarve nëpër institucione dhe jashtë tyre që në rast se janë në dijeni të çfarëdolloj shkeljesh, të na informojnë. Ne do të veprojmë sipas procedurave dhe ligjit”, ka thënë ministri. Duke folur për Konkursin, ai ka potencuar se transparenca ka qenë maksimale në këtë proces, duke publikuar shumat e kërkuara dhe ato të miratuara, subjektet që konkurruan dhe projektet fitues.
“Në këtë aspekt ne jemi plotësisht të hapur për bashkëpunim të mëtejshëm, edhe me opinionin, ashtu edhe me të gjitha institucionet kompetente. Gjithsesi, komisionet do të shqyrtojnë të gjitha ato projekte për të cilat do të vërtetohen parregullsitë dhe po ashtu do të merren edhe me rishqyrtimin e atyre projekteve për të cilat u nxorën në opinion. Disa projekte janë tërhequr dhe ne jemi maksimalisht të disponuar që të gjitha parregullsitë t’i korrigjojmë”, ka thënë ministri.
Më të stuhishme janë reagimet për shkak të mjeteve të ndara nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Kabinetit të sekretarit shtetëror, Valmir Aziri, por Allagjozovski në konferencë për shtyp tha se nuk mund të përgjigjet për projekte individuale dhe për të gjithë ata vlen qëndrimi se janë të hapur të pranojnë njoftim për çfarëdo qoftë parregullsish.
“Maksimalisht jemi të hapur dhe ndërmorëm hap të guximshëm sepse i publikuam edhe emrat e fituesve, dhe mjetet e ndara dhe të kërkuara. Nuk fshehim asgjë, as i shmangemi përgjegjësisë. Jemi të disponuar dhe bëjmë thirrje deri te të gjithë qytetarët dhe të punësuarit në institucionet dhe jashtë tyre, nëse kanë njohuri për çfarëdo qoftë parregullsish të na njoftojnë. Ne do të veprojmë në pajtim me procedurat dhe ligjet”, përsëriti Allagjozovski.
Lidhur me vërejtjet paraprake të anëtarëve të komisioneve dhe refuzimin e anëtarit të Komisionit të muzikës për të nënshkruar listën me projekte fituese për shkak të parregullsive, Allagjozovski pohon se nuk është vënë në dijeni.
“E kam ditur që mes anëtarëve në komisione mund të ketë pasur mosmarrëveshje, por se nuk ka nënshkruar rezultatet me projektet fituese, por as edhe se listat janë kontestuese, nuk më kanë informuar”, ka sqaruar Allagjozovski. Deklaratat e ministrit janë bërë gjatë prezantimit të Strategjisë për zhvillimin e kulturës, dokumentit të miratuar gjatë seancës të së martës në Qeveri. Me këtë Strategji të re të kulturës synohet demotropolizimi dhe decentralizmi i kulturës, si dhe akses i barabartë i të gjithë qytetarëve. Si disa prej pikave kryesore të planit aksionar që do të vihen në zbatim janë përshpejtimi i procesit të decentralizimit të kulturës, mbrojtja e trashëgimisë dhe aktivitetit muzeal, e të tjera.
“Gjatë muajve të kaluar ndryshuam katër ligje, ndaluam rrënimin e trashëgimisë kulturore, i pamundësuam privilegjet klienteliste dhe ndërpremë derdhjen e fondeve për Projektin Shkupi 2014”, ka thënë ministri. Strategjia për zhvillimin e kulturës është hartuar nga një grup pune disa muaj më parë dhe përpara miratimit në Qeveri u prezantua në disa debate publike. (koha.mk)