Gati 3 dekada pas pavarësisë, ende vërehet në Maqedoni ndikimi i Beogradit, është koha që më në fund maqedonasit të çlirohen nga ky ndikim. Ata duhet ta kuptojnë se serbofilia e tyre bazohet në fshehje të historisë dhe vetmashtrimit
Nga Rilind DAUTI
Në krahinën e Dërvenit tregohet një anekdotë për një ujk që në ditë pazari nga fshati shkon në qytet, në çarshi. Meqë ishte ditë pazari, në qytet kishin zbritur edhe një numër i madh i fshatarëve. Me të parë ujkun, fshatarët e sulmojnë ujkun për ta rrahur për shkak të dëmit që ua kish bërë. Kur e pa ngjarjen farkëtari, me çekiçin në dorë edhe ai iu sul ujkut për ta rrahur. Ujku i habitur e pyet farkëtarin: “E kuptoj pse më sulmojnë fshatarët: dikujt prej tyre ia kam ngrënë një dele, dikujt prej tyre ia kam ngrënë një lopë, por ty o farkëtar mos ta kam ngrënë tezjahun që je i zemëruar me mua?!” Në këtë anekdotë shpesh herë veten e gjejnë edhe një numër i madh i maqedonasve, të cilët në konfliktin shqiptaro-serb për Kosovën, u zemërohen shqiptarëve njësoj sikur të jenë serbë, ndërsa bëjnë tifozllëk për Serbinë njësoj sikur të jenë serbë!
Diçka e tillë kohën e fundit u pa me rastin e ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Tomor Morina të cilin e arrestoi policia e Maqedonisë së Veriut me urdhërarrest të Serbisë. Pas plot 21 ditëve paraburgim Gjykata nuk e lejoi ekstradimin e tij në Serbi. Por edhe pse personi në fjalë kishte luftuar vetëm kundër Serbisë dhe s’kishte fare të bëjë me Maqedoninë, maqedonasit në rrjetet sociale u zemëruan sikur Tomor Morina të kish pas qenë armiku më i madh i popullit maqedonas!
Kjo qasje e një numri të madh të maqedonasve të mbajtjes anë pa kusht Serbisë nuk është edhe aq befasuese. Për shqiptarët e Kosovës një numër i madh i maqedonasve flasin me të njëjtën retorikë si serbët: “tregtia me organe”, “shtëpia e verdhë”, “terroristët e UÇK-së” (të Kosovës), “kriminelët e luftës së UÇK-së”, “Kosova dhe Shqipëria duan të bashkohen dhe ta formojnë Shqipërinë e Madhe”, ndërsa intervenimin e NATO-s kundër Serbisë më 1999 e quajnë “agresion”.
Qasje, pikëpamje, dhe paragjykime serbe, maqedonasit kanë edhe për shqiptarët e Maqedonisë. Për shembull, teorinë raciste serbe “Allbanci janë në Shqipëri ndërsa ju në Jugosllavi jeni shiptari” e përqafuan edhe maqedonasit. Në kohën e Jugosllavisë Republika Popullore dhe Socialiste e Maqedonisë duhet pranuar se i kishte disa aspekte pozitive, si psh. asnjëherë s’ka patur qeveri republikane pa sekretarë shqiptarë, por për shumëçka tjetër Maqedonia fare s’dallonte nga Republika Popullore, pastaj Socialiste, e Serbisë! Njëjtë si Serbia, edhe Maqedonia punoi në dëbimin e shqiptarëve drejtë Turqisë; njëjtë si Serbia, edhe Maqedonia dënonte shqiptarë në procese të motivuara politikisht; njëjtë si Serbia, “separatizmin” shqiptar në Kosovë e luftonte edhe Maqedonia.Ndërsa me disa masa antishqiptare Maqedonia shkonte përtej Serbisë, si psh. rrëzimin e mureve rrethues të shtëpive, përzierje të dhunshme të paraleve me çka do të ndërpritej mësimi shqip, limitimi i numrit të lindjeve për shqiptarët, apo ndalimi që ata fëmijëve t’iu vendosin emra shqiptarë si “Ilir”, “Dardan” ose “Arsim”!
Edhe pas pavarësisë së Maqedonisë vazhdoi hovi antishqiptar, kur kërkesave të reja të shqiptarëve për më shumë të drejta iu përgjigjeshin përveç se me brutalitet policor, edhe me një teori të marrë të gatshme nga Serbia, që serbët e përdorin si argument kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa maqedonasit si argument kundër avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Bëhet fjalë për argumentin: “ju shqiptarët nuk jeni autoktonë në këtë vend, juve ju ka sjellur këtu Perandoria Osmane nga Shqipëria”! Edhe nëse ka diçka të vërtetë te kjo teori, kjo teori mjaftë vonë ka nisur të përdoret si argument kundër të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, dhe përbën një tjetër import serb. Sa për krahasim, VMRO-ja historike asnjëherë s’e ka problematizuar që shqiptarët në Maqedoni i paskan sjellur osmanët nga Shqipëria. Edhe lideri i fundit i VMRO-së histoike, Vanço Mihajllov, thotë se shumica e shqiptarëve të Maqedonisë kanë ardhur nga Shqipëria në kohën e sundimit osman, por për Vanço Mihajllovin kjo nuk përbën pengesë që në Maqedoninë e paramenduar nga ai si “Zvicra e Ballkanit”, shqiptarët të jenë njëri nga 5 popujt konstituivë, ndërsa gjuha shqipe njëra nga 5 gjuhët zyrtare të Maqedonisë! Në kohën e sundimit të egër serb në Maqedoni 1912-1941, VMRO-ja shpesh herë i sulmonte civilët kolonistë serbë, por asnjëherë nuk i sulmonte shqiptarët me të cilët edhe ka histori bashkëpunimi!
Por si shpjegohet gjithë ky ndikim serb në pikëpamjet e maqedonasve ndaj popullit shqiptar, në veçanti paradoksi i urrejtjes së shqiptarëve në Kosovë me të cilët kanë mosmarrëveshje serbët, e jo maqedonasit? Kjo shpjegohet me ndikimin e madh serb nga viti 1944 e këndej në psikologjinë e maqedonasve. Pushteti serb në Maqedoni është vendosur qysh në vitin 1912, por deri në vitin 1941 edhe shqiptarët edhe maqedonasit ishin viktimë e persekutimit nga pushteti serb. Ndërkaq, në vitin 1944 formohet shteti i Maqedonisë në kuadër të fedetaratës jugosllave ku në kuadër republikan maqedonasit ishin vendimmarrësit kryesorë. Dhe përderisa për disa gjëra shqiptarët në Maqedoni i kishin punët më mirë se ata në Kosovë, ndikimi i shkencës serbe, mediave serbe, dhe pushetetit federal të dominuar nga serbët, bënë që edhe Maqedonia të jetë antishqiptare si Serbia. Kjo nuk e mohon se një pjesë e sentimentit antishqiptar te maqedonasit mund të jetë si trashëgimi e pushtetit të dikurshëm osman me të cilin shqiptarët kanë patur edhe histori bashkëpunimi, apo thjeshtë me faktin se shqiptarët janë me shumicë muslimanë, por burimi kryesor i sentimentit antishqiptar te maqedonasit mbetet ndikimi serb nga viti 1944 e këndej.
PERSPEKTIVA MË E GJËRË
Por nuk janë shqiptarët e vetmja pasqyrë ku reflektohet serbofilia e një numri të madh të maqedonasve. Ndikimi serb në psikologjinë e maqedonasve është aq i madh saqë jorrallë gjen maqedonas që e qajnë shpërbërjen e shtetit të dominuar nga serbët, Jugosllavinë, duke e përdorur të njëjtin narativ konspiracional si serbët “Amerika i bëri kurtha Jugosllavisë”, “Gjermania dhe Vatikani e shpejtuan shkatërrimin e Jugosllavisë”. Edhe një anketë e Radios Evropa e Lirë tregon se sa i lartë është malli në mesin e maqedonasve për Jugosllavinë, me atë që në pyetjen “Në përgjithësi, shpërbërja e Jugosllavisë a i ka sjellur dobi apo dëm shtetit tënd?”, në Maqedoni 61% janë përgjigjur me “dëm”, ndërsa 12% me “dobi”!
Kur vjen puna te muzika dhe argëtimi televiziv, pazari maqedonas është shumë i levërdishëm për prodhimet serbe: Aca Llukas, Ceca, Zheljko Joksimoviq, “Zvezde Granda”. Vetëm nëse ia hedh një sy seksionit “Trending” në YouTube që është specifik për çdo shtet, në një ditë tipike do të shohësh se në Maqedoninë e Veriut dominojnë videot shqip, ndërsa pas tyre nuk vijnë as ato maqedonisht por serbisht! Gazetat dhe revistat serbe i gjen gjithkund nëpër trafikat e Shkupit, ndërsa librat e autorëve serbë shiten të papërkthyera në maqedonisht. Kur në Kosovë ndodhë diçka që e hidhëron Serbinë (si psh. aksionet e Policisë së Kosovës në Veri), mediat maqedonase ngjarjes ia japin të njëjtin spin antishqiptar dhe proserb si mediat në Serbi! Edhe në një prodhim vendor televiziv që është shumë i popullarizuar te maqedonasit, “Vo Centar so Vasko Eftov”, gati se s’ka epizodë pa ndonjë mysafir serb në të! Miroslav Lazanski, Dejan Luçiq, Jugosllav Petrushiq, Vojisllav Sheshel, Millomir Mariq, dhe shumë “ekspertë” tjerë serbë me të cilët Vasko Eftovi kënaqet duke folur kundër shqiptarëve, të keqen që vjen nga Amerika, apo teori fantastike konspirative! Serbomania e këtij “gazetari” shkon aq larg saqë në 20 vjetorin e Masakrës së Reçakut të bërë nga forcat serbe, ai emetoi emision për gjoja krimet e UÇK-së!
Me Serbinë bëri afrim të madh edhe partia që dikur llogaritej si parti bugarofile, VMRO-DPMNE-ja. Në periudhën 2006-2017 qeveria e udhëhequr nga kjo parti i ndërmorri disa hapa me të cilat dukshëm i afroi marrëdhëniet me Serbinë. Kjo qeveri shkoi aq larg saqë më 15 shtator 2014 Ministri i atëhershëm për Punë të Jashtme Nikolla Popovski dhe homologu serb Ivica Daçiq nënshkruan marrëveshje për përfaqësi të përbashkëta diplomatike dhe konsullore mes Maqedonisë dhe Serbisë! Kjo marrëveshje me Serbinë ishte vetëm njëra nga një numër i madh marrëveshjesh tjera të papërsëritura me shtetet fqinje tjera. Por veprimin më absurd kundrejt Serbisë, gati në shkallë të vetposhtërimit, qeveria e VMRO-DPMNE-së e bëri me rastin e 100 vjetorit të Luftërave Ballkanike kur çoi si përfaqësues zyrtar Ministren e Kulturës Elizabeta Kançevska Milevska në manifestimin për Betejën e Zebërnjakut me të cilën shënohet fillimi i pushtimit serb të Maqedonisë. Pra, VMRO-DPMNE-ja e festoi pushtimin serb të Maqedonisë! Si përfundim, nëse e analizojmë politikën e jashtme të Maqedonisë në periudhën 2006-2017, do të konstatojmë se Maqedonia i dëmtoi marrëdhëniet me të gjitha shtetet fqinje, përveç Serbisë me të cilat i thelloi!
MASHTRIMI PËR MIQËSINË ME SERBËT
Me rastin e vizitës së kryeministres serbe Ana Bërnabiq, televizioni maqedonas me pronar serb,“Alfa” (televizion i afërt me partinë që dikur llogaritej si parti bugarofile VMRO-DPMNE), në kontakt emisionin “Zbor po zbor” e pati si temë për debat me teleshikuesit një temë me të cilët luhet me një llapsus të kryeministrit Zoran Zaev me përdorimin e fjalës “peder”. Tema e emisionit ishte “Përse qeveria e Zaevit sillet në mënyrë pederaste me Serbinë?”. Marrëdhëniet me Serbinë qenkan aq me rëndësi saqë për ta shprehur revoltën u nevojitka të përdoren edhe fjalë vullgare! Por nejse, e pashë emisionin, dhe nga të gjithë shikuesit, ishte vetëm njëri që kishte qëndrim ndryshe, gjithë të tjerët e kritikonin ashpër Zoran Zaevin që i paska prishur marrëdhëniet me Serbinë dhe flisnin se sa të afërta dhe miqësore maqedonasit i kanë patur dhe i kanë marrëdhëniet me Serbinë dhe serbët. Por kjo përbën një vetmashtrim të madh!
Gjatë sundimit të Jugosllavisë socialiste në Maqedoni, dhe gjërat kanë ndryshuar shumë pak pas pavarësisë, historiografia maqedonase e ka fshehur ose relativizuar pushtetin serb në Maqedoni të periudhës 1912-1941. Viktimë kryesore e sundimit serb padyshim se kanë qenë shqiptarët, por nuk është se janë kursyer sllavët e Maqedonisë. Ata kanë qenë subjekt i dhunës së vazhdueshme nga xhandarët serbë, reprezaljeve të ashpra të kryengritjeve që i bënin, dhe vrasjeve që nuk i kursenin as fëmijët. Sllavët e Maqedonisë ishin cak i asimilimit serb, më shumë priftërinjë orthodoksë në Maqedoni kanë vrarë serbët për 29 vjet se osmanët për 500 vjet për shkak të refuzimit të tyre për t’iu kyçur Kishës Serbe! Maqedonia ishte cak i kolonizimit nga rreth 200,000 serbë e malazezë me qëllim të “përmirësimit” të pasqyrës etnike të Maqedonisë. Këtyre kolonistëve shteti iu jepte toka të majme dhe privilegje tjera.
Megjithatë, shembuj të armiqësisë serbe ndaj maqedonasve kemi nga historia shumë më e afërt për të cilën kemi dëshmitarë të gjallë: shpërbërja e Jugosllavisë. Është e vërtetë se Maqedonia shpëtoi pa luftë, por serbët u kujdesën që në mënyra tjera të demonstrojnë ndaj maqedonasve dhunë dhe superioritet.Kur JNA e dominuar nga serbët u tërhoq nga Maqedonia, ajo morri gjithçka me vete: armë, tankse, e deri te anekdota e famshme që nga muret e kazermave i kishin shkulur edhe prizat! Nga Spitali Ushtarak në Shkup (tash Spitali “8 Shtatori”) morrën çdo mjet të sofistikuar mjekësor. Përveç marrjes së gjithçkaje nga mjetet e ushtrisë së përbashkët për të cilën me të holla kishte kontribuuar edhe Maqedonia, ata zbrazën edhe disa magacine të Mbrojtjes Territoriale të Maqedonisë me armë dhe municione të paguara me mjete republikane, dheVllado Popovski tregon për një incident gati fatal në Liqenin e Ohrit mes JNA-së dhe policisë maqedonase kur JNA kishte tentuar ta marrë një barkë moderne me mjet për skanimin e sipërfaqes së liqenit!
Por edhe pas tërheqjes përfundimtare të JNA-së, Serbia për një kohë sikur e linte hapur mundësinë e kthimit në Maqedoni. Në hartën e Serbisë së Madhe të Vojisllav Sheshelit të publikuar më 1992, përfshihet tërë territori i Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, Republika Federale e Jugosllavisë e pranoi pavarësinë e Maqedonisë tek në vitin 1995, plot 4 vjet pas shpalljes së pavarësisë kur e panë se më s’kanë shanse të kthehen. Edhe sot e kësaj dite Serbia shpesh herë përçon mesazhe negative drejt Maqedonisë së Veriut. Ministri arrogant serb për Punë të Jashtme pat deklaruar se kanë bërë gabim që e kanë pranuar emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë” dhe në një deklaratë tjetër pat implikuar se Goce Dellçevi është bullgar! Dhe kur jemi te Goce Dellçevi, Qyteti i Beogradit e ndërroi emrin e një rruge që e mban emrin e tij pikërisht me arsyetimin që ai ka qenë revoluciner bullgar që s’ka kurrfarë lidhje me Serbinë.Kisha Orthodokse Serbe nuk lejon të pranohet autoqefalia e Kishës Orthodokse Maqedonasedhe nuk e lejon festimin e Ilindenit në manastirin Prohor Pçinski. Ndërsa kur u bë ndryshimi i emrit në “Maqedonia e Veriut”, në rrjetet sociale ishin serbët ata që talleshin më së shumti me maqedonasit!
PËRFUNDIM
Historikisht, maqedonasit kanë eksperiencë tjetër me shqiptarët nga ajo që e kanë serbët, prandaj ata duhet njëherë e mirë ta flakin pikëpamjen serbe për shqiptarët. Gati 3 dekada pas pavarësisë, ende vërehet në Maqedoni ndikimi i Beogradit, është koha që më në fund maqedonasit të çliohen nga ky ndikim. Ata duhet ta kuptojnë se serbofilia e tyre bazohet në fshehje të historisë dhe vetmashtrimit, prandaj është mirë për vet ata nëse e mësojnë të vërtetën! (koha.mk)
(Autori është i diplomuar në Shkencat Politike dhe magjistrant në diplomaci)