Ekspozita do të zgjasë afër 6 javë dhe pas mbylljes zyrtare, veprat e ekspozitës do të qëndrojnë edhe 6 jave tjera në hapësirat e galerisë. Pa dyshim, kjo është një indikacion për vlerësimin dhe cilësinë e ekspozitës. Në këtë ekspozitë prezantohen 24 vepra, shumica e të cilave janë të ciklit “Nga tradita” dhe të ciklit “Depërtimi i dritës”
Evis HALILI
Shkup, 9 qershor – Pas ekspozitës historike në Muzeun Mimara të Zagrebit, ku veprat e piktorit Reshat Ameti gjenden të ekspozuara veprave të viganëve në historinë e artit, siç janë, Canaletto, Bosch, Rubens, Van Dyck, Velázquez,Goya, Turner, Delacroix, Manet, Renoir, Degas dhe të tjerë, pason përzgjedhja nga selektues të shquar botërorë në manifestimin botëror të artit në “Bienalen e Pekinit”, ku vepra e tij tashmë gjendet në fondin botëror të artit në Pekin. Suksesi i radhës i piktorit Ameti është çelja e ekspozitës personale në Galerinë “Ursulla Stros” në Grac të Austrisë, e titulluar “Abstraksioni Brilant”, ku si rezultat i kualitetit brilant artistik, sipas të cilës edhe u titullua ekspozita, u nënshkrua kontratë 2 vjeçare me Galerinë, me mundësi për vazhdimin e saj. Vlen të theksohet se ata që e njohin mirë këtë profesion, e kanë të qartë se çfarë rezultati madhështor paraqet kjo për artistin.
“Nga një shprehje e sinqertë, e panjollosur nga dëshira për të kopjuar artistë të njohur, talenti i Ametit luan me dritën, traditën dhe ekspresionizmin rapsodik. Drita është çelësi; thjesht do të thotë – fillim. Në këtë rast, i perceptuar si një pigment, jo si një ngjyrë, ai mbart metaforën vizuale si një burim jete, shpirtëror, besim, dashuri, gjithçka dhe asgjë… Frymëzuar nga historia dhe vlerat, momenti i njohjes së vetvetes është pothuajse i prekshëm”, thuhet në prezantimin për publikun që i bën galeria ekspozitës së piktorit Ameti.
Ekspozita do të zgjasë afër 6 javë dhe pas mbylljes zyrtare, veprat e ekspozitës do të qëndrojnë edhe 6 jave tjera në hapësirat e galerisë. Pa dyshim, kjo është një indikacion për vlerësimin dhe cilësinë e ekspozitës. Në këtë ekspozitë prezantohen 24 vepra, shumica e të cilave janë të ciklit “Nga tradita” dhe të ciklit “Depërtimi i dritës”. Në hapjen solemne të ekspozitës ishte e pranishme elita kulturore e Gracit, si dhe ambasadori i RMV-së në Zagreb, Milaim Fetai. Ekspozita ka një jehonë të mrekullueshme në qarqet artistike. Në këtë, me siguri ka ndikuar edhe promovimi i pandërprerë i ekspozitës në faqet e Galerisë në rrjetet sociale, si dhe në ueb faqen e saj zyrtare. Ekspozitat e radhës janë në Zagreb dhe në New York. (koha.mk)