Do të ishte naivitet që literaturën e vërtetë historike, ta zëvendësojmë me një serial si referencë. Çështja kryesore është si të mos biesh në grackë, që ta shikosh serialin si të ishte literaturë historike dhe në këtë mënyrë të ndërtosh qëndrimin për ngjarjet dhe personalitetet historike prej tij
Nga Daut DAUTI
Ma tërhoqi vëmendjen që në paralajmërim seriali “Kryeqyteti Abdylhamid”(në TV Klan), sadoqë titulli ende më duket i palogjikshëm. Një temë historike jo shumë e largët, me ngjarje të bujshme, me shumë të njohura dhe të panjohura, për çka përcjellja e këtij seriali biografik apo kronikë kohe, do t’m’i plotësonte njohuritë e mangëta për këtë periudhë. Në të vërtetë, pas serialit për Sulltan Sulejmanin, nuk mund të them se jam ngjitur për ekrani me ndonjë tjetër për sulltanët e Perandorisë Osmane. Më vonë erdhi “Ertugruli”, por e kam shikuar copa-copa, ashtu kur më dilte përpara në ekran dhe ndonëse duket një film i ambalazhuar bukur, ia humba fijen e kontinuitetit. Kishte dhe do seriale tjera turke me temë historike, ku natyrisht janë bukur të realizuara, por problemi me to është se vështirë është t’i pranosh si ndonjë referencë të ngjarjeve të së kaluarës, kur ishim pjesë e Perandorisë Osmane. Ndoshta më afër të vërtetave historike mund të ishte seriali për Sulltan Mehmet Pushtuesin, po nuk e di ç’u bë me të, ato 5-6 vazhdime a ishin pilot-episode, apo me pushtimin e Konstantionopojës, producentët e kanë parë të arsyeshme t’i thonë mjaft për të mos e bërë telenovelë. Do të doja ta kishin vazhduar, sepse do të kishte shumë ngjarje që lidhen me Shqipërinë, gjegjësisht me epokën e Skënderbeut dhe do të ishte me interes të shihej si do të ishin shtjelluar ato përpjekje të babait të sulltan Mehmetit dhe të vetë atij për ta mposhtur rezistencën e Skënderbeut… Vetë qasja ndaj atyre ngjarjeve do të nxiste kureshtjen, pavarësisht nëse do t’na kishte pëlqyer… Ndoshta sezonin e ardhshëm, nëse ka vazhdime, ky sulltan “do të mbërrijë” gjer te muret e Krujës…
Por, t’i kthehem Sulltan Andylhamidit (sundoi në periudhën 1876-1909). Më shumë se vetë seriali dhe emri i sulltanit, më kishte tërhequr paralajmërimi se në të luan një aktor shqiptar, Nik Xhelilaj, tashmë i afirmuar në disa seriale turke që i hapën dyert për karrierë ndërkombëtare. Bile ai ishte shkasi kryesor pse ia nisa ta përcjell. Sepse Nik Xhelilaj, ndërkohë hyri në lëkurën e personazhit të Karl Mejit, Vinetu(disa filma për të janë punuar në Gjermani viteve 60-të dhe 70-të .(I takon një shqiptari ta luajë heroin e Karl Mejit, përderisa ai ngjarjen e një romani të tij e kishte vendosur në trojet shqiptare). Isha pra, kureshtar ta shoh Nik Xhelilajn në këtë serial turk dhe me vëmendje e ndjek çdo episod, por dhe i dëshpëruar që Nik Xhelilaj, nga ajo që mund të lexoja në IMDB, do të luaka vetëm në dy vazhdime. Por, dëshpërimi me këtë fakt nuk më bën më pak kureshtar, sepse tashmë producentët turq ua kanë marrë zanatin kineastëve latinoamerikanë dhe punojnë me profesionalizëm të lartë për të tërhequr vëmendjen e shikuesve. Një periudhë si ajo e sulltan Abdylhamidit nuk mund të jetë jo interesante. Mjafton të marrësh kontekstin e gjerë kohor për të cilin bën fjalë filmi dhe në të të futësh qoftë për të identifikuar ngjarjet dhe personazhet e vërteta por dhe ato të trilluara, sepse askush, edhe skenaristi e regjisori më gjenial, nuk mund të reprodukojë kohën në saktësi absolute.
Pastaj, do të ishim naivë që literaturën e vërtetë historike, ta zëvendësojmë me një serial. Por, megjithatë, përvoja duke shikuar serialin është interesante, të paktën nga këndvështrimi im. Çështja kryesore është si të mos biesh në grackë! Gracka do të ishte që ta shikosh serialin si të ishte literaturë historike dhe në këtë mënyrë të ndërtosh qëndrimin për ngjarjet dhe personalitetet historike. Këtu patjetër ka një luftë midis lexuesit të historisë dhe shikuesit të filmit, që në të dy rastet jam vetë. Si shikues unë tashmë jam në anën e heroit pozitiv, që në rastin konkret është vetë sulltan Abdylhamidi. Një sulltan i drejtë, i cili në plan të parë vë interesin e shtetit, i cili lufton kundër shkatërruesve të shtetit të tij, të cilit i punojnë haptas ose fshehtas armiq të brendshëm(pjesëtarë kombesh që duan lirinë(armenët, grekët, izraelitët…) dhe të jashtëm(ambasadorë e agjenturash të huaja, anglezë, rusë…,). Është shtëpiar i devotshëm, i cili ndonëse ka shumë gra e shumë fëmijë,zaten si krejt sulltanët, të gjithë i do njësoj, familjen e ka të shenjtë. Lufton për drejtësi, unitet, harmoni…Ku ke burrështetas shembullorë sot si ai? Ka një qasje të çuditshme të udhëheqjes shumë i përshtatshëm për film, gjithë kohën është i mbyllur në sarajin e tij(të mbyllur i mban edhe familjarët), kohën e kalon duke punuar si marangoz në punëtorinë e tij, aty madje i mban shumë nga takimet ose koordinimet me pashallarët e tij…Ky është heroi filmik, i latuar për ta dashur shikuesi i sotëm, ndonëse në historinë e popujve të Ballkanit, sidomos ndër shqiptarët, ka emocione “të përziera” ndaj tij dhe adhurimi ndaj sulltanit filmik dhe sulltanit historik mund të ketë diskrepanca serioze.
Vetë filmi më shtyri të shpupuris diçka nëpër internet për sulltanin që e përmbysin xhonturqit. Ajo që lexova nuk përkonte me kontekstin e filmit. Tash si lexues(unë vetë) bie në konflikt me shikuesin(jam vetë), sepse është një luftë midis të vërtetash ose këndvështrimesh. E vërteta historike dhe e vërteta artistike. Kjo shpërputhje ka të bëjë nga pozicioni i njërit(lexuesit) dhe tjetrit(shikuesit), sepse lexuesi në mua ka një qëndrim tjetër nga ajo që shikuesi në mua e pjek mendimin pozitiv përmes filmit.
Por dhe te e vërteta artistike, nuk duhet të jetë e bash bardh e zi. Sylltan Abdylhamidit i rëndon periudha e krizës lindore, pra, prej luftërave ruso-turke, Kongresit të Berlinit e gjer te Revolucioni i xhonturqve(kur dhe përmbyset), dhe sigurisht në vetë historiografinë turke, do të ketë qasje të ndryshme, shumë ndryshe nga ky serial që e ka realizuar televizioni shtetëror turk. Edhe sot në Turqi ka qarqe që mund ta trajtojnë si hero pozitiv, sikundër që të tillë mund t’i trajtojnë edhe xhonturqit, që e përmbysën “pushtetin despotik” të këtij sulltani, i cili e kishte suspenduar njëherë kushtetutën dhe Parlamentin për t’i lejuar pak vite para se të përmbysej. Por, ja, nëse unë si lexues gjërat do t’i shikoja si pjesëtar i një populli i cili ka luftuar për liri pikërisht kundër këtij sulltani, i cili në film është hero ndryshe nga ç’mund ta përjetoj sulltanin e historisë, si shikues me tërë qenien jam në anën e tij!
Sepse, si lexues historie, nuk mund t’ia falë këtij sulltani që e shtypi Lidhjen e Prizrenit, atë lëvizje shprese për autonomi për shqiptarët, sepse autonomia në atë kohë, do të ruante trungun kombëtar ose tërësinë territoriale të shqiptarëve për një shtet. Sulltani që e kanë dashur shumë shqiptarë atë kohë, as për autonomi nuk pati mirëkuptim Edhe grekët dhe serbët fillimisht e kishin fituar autonominë, por ajo qe bazë për shtetet e tyre të mëvonshme. Ato shtete që dolën nga ato autonomi, do të jenë vendimtare në kohën e ardhshme kur do të tërhiqej Perandoria Osmane, duke mbetur shqiptarët të pa organizuar, e jo si fqinjët e tyre që kishin shtetin dhe ushtritë me të cilat do t’i grabisnin tokat shqiptare.
Në serial nuk flitet fare për këtë ngjarje. Autorët e tij janë përqendruar te lëvizja armene, por e vënë në kontekst të manipulimeve të shteteve të mëdha të kohës, e jo si lëvizje autentike e një populli. Nuk jam thelluar, por nga filmi del se një grusht armenësh bëjnë problem, se jo krejt populli, gjë që ndoshta kjo e vërtetë artistike nuk përkon me të vërtetën historike. Në serial si shikues jam me Abdylhamidin, ai është ai që kujdeset edhe për armenët dhe habitet pse ata manipulohen lehtë nga anglezët, hebrenjtë dhe rusët. Ka të ngjarë që e vërteta artistike përkon me atë historike, sepse në atë periudhë, forcat që kanë dashur ta mposhtin Perandorinë Osmane kanë pasur interes t’i nxisin popujt brenda perandorisë të çojnë kokën.(Nëse lexoni një historian shqiptar të dalldisur, krejt ata që kanë qenë në krye të lëvizjes kombëtare shqiptare o kanë qenë agjentë të Austrohungarisë, o të Vatikanit, o masonë…!)
Sikundër që mund të biesh në grackën e bardhezisë për të shikuar historinë përmes filmit, filmi deri diku përputhet me bardhezinë e historisë së përplasjes së këtij sulltani me xhonturqit. Ende nuk kanë mbërritur episodet me lëvizjen e xhonturqve, tash për tash vetëm paralajmërohet, por nga këndvështrimi i një shikuesi mund të jesh edhe në anën e sulltan Abdylhamidit por dhe të xhonturqve. Producentët kanë zgjedhur anën e të parit por unë si shikues shqiptar nuk kam problem me këtë, sepse nëse historia pakashumë i njeh xhonturqit si lëvizje pozitive, nga ky pozitivitet shqiptarët nuk panë asgjë. Doli se xhonturqit, duke përmbysur një sulltan, deshën ta forcojnë perandorinë edhe më shumë, që ishte në kundërshtim me idealet e popujve të vegjël për shkëputje dhe krijimin e shteteve të tyre. Lëvizja xhonturke do t’i tregojë efektet e veta përmes figurës së Mustafa Kemal Ataturkut( i cili nuk ishte ndonjëri nga udhëheqësit e kësaj lëvizjeje në fillim, por do të jetë realizues i idealeve të saj më vonë)
Gjersa e shikoj serialin, më kujtohet një pohim i historianëve shqiptarë në një konferencë shkencore të para disa vitesh, që flet për relativitetin e konteksteve kohore. Sepse, nëse ne sot flasim për ngjarjet shekuj pas, nuk mund të dimë se bashkëkombësit tanë e kanë përjetuar kohën e tyre. Prandaj, sadoqë tingëllon keq, mund të ketë ndonjë arsyetim për atë lloj sjelljeje, si bie fjala, disa krerë të kryengritjeve shqiptare(Isa Boletini, përshembull) kishte qenë i brengosur për fatin e Andylhamidit, i cili një kohë pas përmbysjes nga froni, kishte qenë i vendosur në Selanik(për këtë më duket se ka shkruar edhe vetë Hasan Prishtina ose Noli, njëri prej tyre, gjithsesi!). Kur e shikoj filmin, kundërshtarët e tij, pra edhe xhonturqit, duken më negativë se ai! Në këtë pikë nuk bëhet fjalë vetëm për të vërtetën e servirur bukur në film, por dhe ndoshta për vetë të vërtetën historike, sepse Abdylhamidi mund të mos ishte më i keq se xhonturqit që me reformat e tyre i joshën popujt. Sepse reformat e tyre nuk përputheshin me aspiratat e atyre popujve që shpresuan te ata. Shqiptarët ishin ndër të parët që u dëshpëruan.
Vazhdoj ta shikoj serialin, sepse kineastët turq ia kanë marrë dorën dhe seriali është interesant, plot ngjarje e kthesa të papritura, ndonëse duken prej aeroplani klishetë. Kur e shikon si film është dinamik, kur e analizon më thellë del në pah përpjekja për ta treguar sa më pozitiv fytyrën e sulltanit i cili lejoi parlamentin dhe e suspendoi, i cili nisi sadopak modernizimin e shtetit(ndërtoi hekurudhat e para), solli shkollat ku morën dije ata që më vonë do ta përmbysin. Aty paraqiten shumë personalitete që mund të hasen në kronikat e kohës, por dhe shumë heronj sigurisht të trilluar, sepse filmi megjithatë nuk është histori. Vetë atmosfera e filmit (ngjashme me atë të serialit “Filinta”), ka pikëtakime me rrëfime edhe të dëshmitarëve të kohës që i kanë përcjellë nëpër odat tona. Unë e shikoj dhe mundohem të vë distancën kritike, sidomos të mos bëhem viktimë e klisheve që di t’i bëjë produksioni, çfarë gjithsesi lëvrin prej tyre ky serial(klishetë shihen të pozitiviteti absolut i figurës së Sulltan Abdylhamidit kundrejt “të këqijve” që punojnë për rrënimin e Perandorisë dhe pushtetit të tij(armenët, xhonturqit, hebrenjtë, anglezët, rusët, gjermanët…). Kjo në masë të madhe mund të shërbejë për një retushim të historisë përmes një vizioni artistik me shumë elemente propaganduese, prandaj dhe është shumë e nevojshme të vendoset distanca kritike nga shikuesit. Sepse, fundja, nëse doni ta kuptoni historinë, rrëfimet e stilit telenovelik nuk janë “literatura” ose “referenca” të sigurta për këtë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)