Shkup, 27 dhjetor – Besart Abdurahimi është një nga piketat e Partizanit për merkaton e dimrit bën të ditur gazeta “Panorama-sport”. Sulmuesi i Shkëndijës së Tetovës shikohet si një përforcim i rëndësishëm për të kuqtë, për vetë kualitetin që mbart 27-vjeçari, i cili ka qenë edhe pjesë e Përfaqësueses së Maqedonisë.
Abdurahimi ka një karrierë të pasur, por këtë sezon nuk ka gjetur hapësirën e duhur te Shkëndija, pasi konkurrenca te kuqezinjtë është e madhe në rolin ku ai luan. Abdurahimi do të ishte një alternativë për krahun e djathtë të sulmit të Partizanit, rol të cilin prej javësh e ka kryer Jasir Asani. Burime të ndryshme pranë lojtarit kanë bërë me dije se Abdurahimin e pëlqen mundësinë që të transferohet te Partizani, por ai nuk kërkon të nxitohet, për vetë kushtet financiare që ka te Shkëndija.
27- vjeçari bën pjesë në grupin e lojtarëve të mirë-paguar në klubin tetovar, ku në varësi të paraqitjes së tij, ku përfshihet edhe bonuset, rroga e tij shkon nga 10-15 mijë euro në muaj. Por nëse Partizani arrin t’i ofrojë të njëjtën rrogë që përfiton te Shkëndija, Abdurahimi do të vishej i kuq pa problem. Duke pasur kontratë deri në fund të sezonit me kryesuesit e kampionatit maqedonas, Abdurahimi pritet që të mos heqë dorë nga përfitimi financiar. Për momentin, distancën mes Partizanit dhe Besart Abdurahimit e bënë rroga e lartë që lojtari përfiton te Shkëndija e Tetovës.