Prishtinë, 12 prill – Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku e akuzoi Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti se e ka lënë anash luftën kundër pandemisë në Kosovë, duke u marrë me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Sipas Abdixhikut, involvimi i kryeministrit, ministrave dhe deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) e Kurtit në zgjedhjet dhe protestat në Shqipëri, “në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë po vdesin në javë në Prishtinë, kur të moshuarit dhe personat e rrezikuar presin vaksinim, tregon papjekuri dhe papërgjegjësi” të Qeverisë aktuale.
“Përpjekja për të prekurit (nga pandemia) dhe familjet e tyre, për secilin që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot! Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një shtet tjetër”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Fejsbuk.
Sipas lidetrit opozitar, “duket se 14 shkurti (dita e zgjedhjeve në Kosovës, ku fitoi VV) është kuptuar si fund, e jo si fillim”.
“Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi”, porositi Abdixhiku.
Në zgjedhjet, të cilat nga fundi i muajit do të mbahen në Shqipëri, dega e atjeshme e partisë së Kurtit do të paraqitet me tre kandidatë për deputetë, të cilët, sipas raporteve mediale, këto ditë janë vizituar dhe përkrahen nga përfaqësues të lartë të VV-së.