Özlem Abça nga qyteti turk Ordu, thuajse ua kalon ustallarëve me performancën që tregon në profesionin që e ka filluar duke ndihmuar të shoqin në prodhimin e sobave, raporton Anadolu Agency (AA). Dyzetvjeçari Ahmet Abça që në vitet e shkollës kishte punuar në uzinën për prodhimin e sobave pranë të atit të tij, ndërsa pas martesës ishte shpërngulur në qytezën Gürgentepe. Ai kishte hapur punishten e tij dhe ndonëse nuk kishte mundur të gjente punëtor në fillim, ishte ndihmuar nga e shoqja e tij Özlem Abça. Özlem Abça i kishte sjellë të shoqit ushqimin dhe ndihmuar në punët e vogla në punishte. Kohë më pas, ajo kishte mësuar çdo faze të bërjes së sobave. Özlem Abça tani mund ta bëjë prerjen dhe lakimin e hekurit dhe punët e saldimit. Tani, ajo thuajse ka arritur në nivelin e një ustai. Ata kanë zgjeruar rrjetin e punës, ndërsa kanë punësuar edhe dy persona të tjera. Özlem Abça beson se edhe gratë mund të bëjnë çdo punë që bëjnë burrat. Nënë e tre fëmijëve, 32-vjeçarja Özlem Abça tha për gazetarin e AA-së se i shoqi i saj po e vazhdon profesionin e të atit dhe se edhe ajo vetë është duke punuar pranë tij. Duke rrëfyer se si i shqoi kishte hapur punishten pasi ishte ndarë nga i ati, Abça tha: “Sa më shpesh që vija pranë të shoqit tim, nuk dëshiroja ta lija të punonte vetëm. Pak edhe kisha dëshirë të punoj. Fillova me punë të vogla. Fillimisht bëja vijëzimin dhe prerjen. Njeriu mund të mësojë çdo gjë kur ka ambicie, dëshirë dhe vullnet. Jam një person që e dua punën dhe nuk dua të qëndroj bosh. Me kohë e mësova këtë punë. Përpiqem ta ndihmoj të shoqin aq sa mundem.”
“Nëse munden burrat, pse të mos munden gratë?
Abça theksoi se në punë nuk ka burrë apo grua. “Nëse munden burrat, pse të mos munden gratë? Sipas meje, në punë nuk ka burrë apo grua. Natyrisht që çdo punë që bën burri mund ta bëjë edhe guraja. Unë këtë punë e mësova me kohë. Rroftë edhe i shoqi im, më mësoi si ta punoj këtë punë. Më mësoi të mas, të pres. Andaj, unë i mësova hapat e nevojshëm për të prodhuar soba”, tha Abça. Ajo theksoi se profesioni që punojnë sjell me vete edhe rreziqe dhe lodhje, siç janë rreziku nga prerja ose djegia dhe pesha e rëndë e materialeve. Duke theksuar se ndihet e lumtur që punon së bashku me të shoqin, Abça tha se “Ky profesion ka vështirësi për mua por edhe anë të mira. Është më e vlefshme se gjithçka të punohet së bashku dhe të fitohet hallall dhe me djersë balli. Kjo ndjenjë largon edhe lodhjen”. Kur gratë e tjera e pyesin se si mund ta bëjë këtë punë, Abça u përgjigjet se dëshiron të qëndrojë pranë të shoqit dhe ta bëjë punën.
Klientët habiten
Abça tregoi se klientët habiten kur e shohin duke punuar në makinën e saldimit. Ajo tha se reagimet e klientëve janë të ndryshme. Krahas habive, ajo tha se ka shumë reagime pozitive për mbështetjen që ia jep të shoqit. Ndërkaq, Ahmet Abça tregoi se punishten e kishte hapur para pesë viteve dhe se ka arritur ta zhvillojë biznesin me mbështetjen e të shoqes. Abça tha se profesionin e mësuar nga i ati e ka vazhduar në saje të mbështetjes së Özlemit. “Shoqja ime, kur më sillte ushqim apo çaj, filloi t’i zbatojë punimet që i shihte dhe thuajse është bërë usta sikur unë. Tani bën punën që bëj unë. Në saje të kësaj, puna ime u lehtësuar tej mase. Më vonë, me rritjen e biznesit, punësuan dy punëtorë”, u shpreh Abça. Ai theksoi se ka komente të mira për faktin që një grua punon një punë të cilën më shumë e bëjnë burrat. “Kemi komente të mira, si ‘Hallall i qoftë! Po ndihmon të shoqin edhe pse është grua’. Kështu, unë ndihem krenar me të shoqen. Krahas kritikave të mira, dëgjojmë edhe qëndrime negative”, tha Abça.