Kryeministri në mandatin teknik, Dritan Abazoviq ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e procesit zgjedhor për siç ka thënë korrektësinë politike dhe qasjen mjaft konstruktive në ditët e fundit dhe njoftoi se do ta mbështesë pa mëdyshje Jakov Milatoviqin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi.
“E gjithë rrjedha e fushatës, dita e zgjedhjeve dhe shpallja përfundimtare e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale përfaqëson një fitore të madhe për demokracinë në Mal të Zi! Pa tensione, me retorikë pajtuese, në një fushatë të shkurtër dhe të relaksuar, Mali i Zi tregoi fytyrën e tij evropiane”, ka thënë Abazoviq, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, qytetarët pa frikë votuan për të preferuarit e tyre dhe thanë pa mëdyshje se duan një president të ri.
Abazoviq thotë se DPS po largohet me Millo Gjukanoviqin dhe Mali i Zi po i kthehet vetes dhe përparimit të mëtejshëm.
“Tani na duhet vetëm të ruajmë një atmosferë të mirë socio-politike dhe të përfundojmë një fazë tjetër të zhvillimit demokratik të vendit më 2 prill. Edhe një herë është treguar se Mali i Zi mund t’ia dalë dhe se të gjithë së bashku jemi në rrugën e duhur! Në mënyrë paqësore dhe dinjitoze deri në fitore të reja”, ka përfunduar Abazoviq.
Ndryshe, sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet për presidentin e Malit të Zi, në garën e balotazhit do të garojnë kreu aktual i shtetit dhe kandidati i DPS-së, Milo Gjukanoviq, si dhe Jakov Milatoviq, kandidati i lëvizjes Evropa Tani.