Pavarësisht paralajmërimeve, “Korrigjimi i kufijve” dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të diskutohen në takimin e së premtes ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Zyra e presidentit Thaçi ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në takimin e pasnesërm do të diskutohet rreth modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, shkruan “Zëri”.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,Time Kadrijaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës qëndron mbrapa deklarimeve të saj se korrigjimi i kufijve sjell luftë.
“Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i qartë, tërësia territoriale e Republikës së Kosovës nuk duhet të diskutohet dhe nuk lejojmë të diskutohet dhe as të propozohet diçka e tillë. Ndryshimi i kufijve do të thotë arenë lufte për Ballkanin dhe këtë nuk e duan as miqtë ndërkombëtarë që kanë thënë se diçka të tillë nuk do ta përkrahim”, ka thënë Kadrijaj në një prononcim për gazetën “Zëri”.
Sipas saj, edhe Asociacioni është një çështje që do të zgjidhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, por për këtë proces të bisedimeve janë në kërkim të konsensusit.
“Nuk e di agjendën, e cila do të diskutohet në Bruksel në mes të dy presidentëve, por një gjë dihet se nuk do të ndodhë asnjë asociacion përpos atij që e ka bërë Gjykata Kushtetuese. Kosova është në një skenar të procesit të bisedimeve dhe për këtë është kërkuar një konsensus, për këtë edhe janë bërë emërimet për ekipin negociator, në të cilin ka përfshirë edhe partitë opozitare. Opozita po bën opozitarizëm në kurriz dhe në dëm të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ajo./Zëri