20 vjet ma parë, në kulmin e fushatës së bombardimve të NATO’s në Jugosllavi, të cilat kishin për qëllim me i ndalë krimet serbe në Kosovë, u godit edhe ambasada kineze në Beograd.
Nga bombardimi vdiqën tre gazetarë, ndërsa ngjarja vazhdon me pasë jehonë edhe sot. Por, çka ndodhi saktësisht me 7 Maj të vitit 1999? BBC ia ka kushtue nji reportazh të gjatë ngjarjes, ku tregon pikëpamjet e palëve.
NATO dhe SHBA insistuen se ishte nji gabim në leximin e hartave. Kurse, Kina mendon të kundërtën, madje simbas BBC shteti atje nxiti nji valë protestash kundër selive diplomatike amerikane. Por, sa qëndron teoria që bombardimi ishte i qëllimshëm?
Qe çka shkruen BBC:
Por çfarë aktivitetesh po ndodhnin në ambasadën e Kinës në Beograd në atë kohë?
Ditën e bombardimit, Dusan Janjiç, një akademik dhe avokat i pajtimit etnik në Jugosllavi, po hante drekë në një restorant në qendër të Beogradit me një person, që e konsideronte mik të mirë.
Ren Baokai ishte atasheu ushtarak në ambasadën kineze dhe Janjiç thotë se ai ishte çuditërisht shumë i hapur për faktin se Kina po spiunonte NATO-n dhe operacionet e tjera të SHBA duke gjurmuar avionët. Atasheu e kishte ftuar për darkë në ambasadë atë natë, pasi e dinte se ai e pëlqente ushqimin kinez.
“Nisa të bëja shaka: Hajde tani, ju e dini se do bombardoheni! Nuk do vij,” kujton Janjiç. Ai po bënte shaka pasi nuk mendonte se ambasada do të goditej.
Megjithatë Janjiç nuk ia doli të shkonte për darkë në ambasadë atë natë, kur raketat fluturuan mbi godinë, duke e hedhur Ren fillimisht në tavan e më pas në një krater të hapur nga një bombë. Ai u gjend në koma në bodrum vetëm mëngjesin tjetër.
Pesë muaj pas bombardimeve, në tetor të vitit 1999, dy gazeta- ajo britanike ‘Observer’ dhe danezja ‘Politiken’- sugjeruan se aktivitetet e mbikëqyrura nga atasheu ushtarak mund të kenë nxitur një bombardim të qëllimshëm amerikan.
Duke cituar burime të NATO-s, ato raportuan se ambasada po përdorej si një stacion ritransmetimi për komunikimet e ushtrisë jugosllave dhe si rezultat ishte hequr nga lista e ndaluar e objektivave. Por Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e kritikoi lajmin duke thënë se ishin dokrra, kurse Sekretari i Jashtëm britanik, Robin Cook tha se nuk ka asnjë provë të vetme për ta mbështetur.
Por dy dekada më vonë, Jens Holsoe, një korrespondent i Politiken në Ballkan nga vitin 1995 deri në vitin 2004, dhe John Sweeney, ish-gazetar i Observer, aktualishte tek BBC, thonë se i qëndrojnë raportimit se bombardimi ishte i qëllimshëm.
Holsoe tha se investigimin e nisën pasi shefi i CIA-s, George Tenet tha publikisht se imazhet satelitore nuk tregonin asgjë se aty kishte ambasadë- nuk kishte flamuj, vula, asnjë shenjë e dukshme- kur në fakt të tria ishin prezent.
Një nga burimet e tij- një figurë e lartë ushtarake daneze- thuajse e deklaroi me zë se bombardimet ishin të qëllimshme. “Ai më pas u tërhoq dhe më tha diçka tjetër për këtë histori, duke theksuar se rrezikonte jo vetëm ta pushonin, por edhe të ndiqej penalisht”.
Holsoe thotë se ishte e qartë në atë kohë se kishte një bashkëpunim ushtarak mes forcave serbe dhe atyre kineze- dhe se ai personalisht kishte parë mjete ushtarake teksa hynin e dilnin nga ambasada kineze. Zyrtarët amerikanë i thanë NY Times se pas bombardimeve, ata mësuan se ambasada ishte platforma më e rëndësishme e inteligjencës së Kinës në Europë.
Ren Baokai mbijetoi dhe më vonë u bë gjeneral. Ai nuk dha një intervistë për BBC, duke theksuar se tashmë është në pension.
Ambasadori kinez, që i shpëtoi për pak sulmit, Pan Zhanlin, mohon në një libër që ambasada ishte përdorur për ri-transmetim dhe se Kina në shkëmbim kishte marrë pjesë nga avionët luftarakë amerikanë F-117, që nuk kapen nga radarët, të cilët ishin rrëzuar nga forcat serbe në fillim të fushatës.
Supozohet gjerësisht se Kina mori pjesë të avionit për të studiuar teknologjinë. Gjithashtu spekulohet se Kina po përdorte fushatën ajrore të NATO-s për të testuar teknologjinë që pikas avionët e fshehur, të cilët nuk dalin normalisht nëpër radarë.
Por edhe nëse të gjitha këto histori janë të vërteta, pyetja mbetet: A do të rrezikonte SHBA të bombardonte qëllimisht një ambasadë kineze?
Edhe në mesin e ish- të brendshmëve jugosllavë nuk ka konsensus. Një ish-oficer i intteligjencës ushtarake i tha BBC se besonte se bombardimi ishte i qëllimshëm dhe se shpjegimi i CIA-s ishte qesharak. Kurse një kolonel në pension tha se besonte historinë e Amerikës.
“Kur ndodh diçka e keqe, të gjithë mendojnë se duhet të ketë një arsye të fshehtë- jo një karrem, por një konspiracion,” thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. “Më duket një absurditet i plotë- ishte një gabim në leximin e hartës. Një gabim i keq”. (koha.mk)