Shkup, 22 janar – Nuk ka pengesa ligjore që vaksinat të mbërrijnë në vend, por Serbia po e pret lejen nga kompania “Fajzer” për t’i eksportuar 8 mijë vaksinat drejt Maqedonisë. Pastaj, vaksinat do të mbërrijnë me import ndërhyrës.
Por, megjithatë, ministri Venko Filipçe, thotë se duhet bërë ndryshime në Ligjin për barëra, pasi këtë e kërkon kompania “Fajzer”. Në qoftë se bëhen ndryshimet, kompania do të mund vaksinën kundër Kovid-19 ta eksportojë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke mos pasur nevojë të lidhë kontrata me ndonjë kompani lokale.
“Ndryshimin e Ligjit për Barëra e bëjmë me kërkesë të kompanisë “Fajzer” me qëllim që të regjistrohen sasitë e ardhshme. Kjo është politika e tyre globale”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Filipçe e falënderoi kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, e cila propozoi që mjekët tanë të vaksinohen në Serbi. Ai thotë se Maqedonia është e aftë ta zbatojë procesin e imunizimit.
“Pres edhe një bisedë. Na thanë se janë nën presion të madh dhe se janë në komunikim me të gjitha vendet e botës, prandaj këto procese ecin ngadalë, shumë më ngadalë nga ajo që e pritnim ne”, tha Venko Filipçe.
Filipçe bëri me dije se analizat e ASHAM-it kanë treguar se në vend nuk ka mutacion të virusit, siç është rast në Britaninë e Madhe.
“Dolën rezultatet e analizave nga Laboratori në ASHAM dhe është konstatuar se në vend nuk ka mutacion të virusit, të ngjashëm me atë që u paraqit në Britaninë e Madhe. Praktikisht, gjatë gjithë kohës, tashmë e disa muaj i pranishëm ishte virusi i njëjtë”, potencoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri i Shëndetësisë pret që javën e ardhshme të hyjnë në procedurë kuvendore edhe ndryshimet e Ligjit për Barëra, që vijnë si kërkesë e “Fajzerit”, me qëllim që të mund ta regjistrojnë vaksinën pa pasur përfaqësi lokale në vendin tonë.