A po hyjmë në sezonin e fatkeqësive?

1

Informacionet e fundit të publikuara nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, institucion ky përgjegjës për cilësinë dhe sigurinë e rrugëve, thonë se në mesin e 32 shteteve të Evropës, vendi ynë rendit në pesë vendet e fundit sa i përket sigurisë në komunikacion. Analizat zyrtare theksojnë se në çdo 100 mijë banorë, në Maqedoni për shkak të aksidenteve në komunikacion, vdesin mbi 7 qytetarë


Omer XHAFERI

Shkup, 5 korrik – Mesi i sezonit të verës, në këtë rast muajt korrik dhe gusht paraqesin periudhën më të rrezikshme ku ndodhin aksidente komunikacioni me pasoja fatale. Të dhënat e vazhdueshme që i publikon Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion (KRSK), thonë se shpejtësia e madhe, e pakontrolluar mbetet njëra prej shkaqeve kryesor se pse ndodhin aksidente tragjike në komunikacion, shkruan gazeta KOHA. Ngasja e veturës deri në orët e para të mëngjesit, po ashtu është njëri prej problemeve që haset te shoferët e rinj, me çka ata paraqesin rrezik potencial për tu ballafaquar me drejtim e veturës.

Analizat dhe hulumtimet e KRSK-së, kanë konstatuar se të rinjtë pas lirimit nga obligimet e shkollave dhe fakulteteve, lëshohet në aventura të ndryshme verore të cilat shpeshherë janë dëshmuar si të rrezikshme në aspektin e drejtimit të veturave.
“Çdokush duhet ta ketë parasysh se vozitja në orët e para të mëngjesit, pas një nate të gjatë, e shoqëruar me vallëzime dhe pije të llojllojshme, nuk preferohet. Shumë aksidente rrugore të shkaktuar nga të rinjtë kanë ndodhur pikërisht në këtë periudhë”, theksojnë nga KRSK-ja. Duke apeluar në rritjen e vetëdijes dhe kulturës në komunikacion, nga KRSK-ja theksojnë se “Kënaqësi është të dëfrehesh në aventurat e verës, ndërsa budallallëk është që këto aventura të përfundojnë prapa timonit”.

Fluksi i madh i gurbetçarëve që gjatë kësaj periudhe vijnë në vendlindje, pa dyshim se e ngarkon kaosin ekzistues në komunikacion. Kësisoj jo rrallë herë në aksidentet fatale të viteve të kaluar, sidomos në rrugën Tetovë-Shkup, kanë marrë pjesë vozitës me targa të huaja. Një situatë e ngjashme, po aq kritike kur flasim për rrezikun dhe aksidente fatale gjatë kësaj periudhe organet e rendit e kanë regjistruar edhe në trajektoren e “Korridorit 8”. Kjo autostradë në pjesën e Maqedonisë, sipas të dhënave zyrtare është njëra prej rrugëve ku më së tepërmi shkaktohen aksidente komunikacioni, ku marrin pjesë shtetas të huaj. Lodhja gjatë rrugës së kthimit apo dëshira për të arritur më shpejtë në plazhet greke është dëshmuar si njëri prej faktorëve kyç të shkaktimit të aksidenteve. Vetëbesimi i rrejshëm i llojit “unë mund të vozis mbi 800 km pa pushim”, siç thonë nga KRSK-ja është goditje e madhe për koncentrimin.
“Bëhuni real dhe të matur në vendosjen e qëllimeve dhe pritjeve, për shkak se arritja e sigurt në destinacionin e fundit është prioritet i juaj. Planifikimi dhe organizimi i udhëtimit gjithsesi duhet të pjesë e agjendës së një shoferi/ udhëtari. Mënjanimi i udhëtimi natën dhe në orët e para të mëngjesit, po ashtu duhet të merret parasysh. Duke e respektuar bioritmin e organizmit të juaj, në masë të madhe ju e ruani përqendrimin në drejtimin e automjetit”, theksojnë nga KRSK-ja.

Informacionet e fundit të publikuara nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, institucion ky përgjegjës për cilësinë dhe sigurinë e rrugëve, thonë se në mesin e 32 shteteve të Evropës, vendi ynë rendit në pesë vendet e fundit sa i përket sigurisë në komunikacion.

Analizat zyrtare theksojnë se në çdo 100 mijë banor, në Maqedoni për shkak të aksidenteve në komunikacion, vdesin mbi 7 qytetarë. Në bazë të raportit të KRSK-së, gjatë vitit 2017 në rrugët e Maqedonisë, kanë nderuar jetë 155 persona. Ky numër sa i përket viti 2016 është zvogëluar për një përqindje të vogël, respektivisht gjatë vitit 2016 në si pasojë e aksidenteve në komunikacion kanë ndërruar jetë 165 persona. (koha.mk)

 

Comments are closed.