Në paralajmërimin e tij se do të kërkoj miratimin e një amnistie për të dënuarit e 27 prillit, Angellovi heq paralele mes këtyre të akuzuarve dhe pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas tij, nëse veteranët e UÇK-së janë të lirë, pse mos të lirohen edhe personalitete si Mitko Peshov, epror i njësisë speciale dhe pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001
Omer XHAFERI
Shkup, 30 maj – Përderisa liderët e partive politike në vendin tonë ende nuk kanë arritur pajtim për një datë se kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare, eksponentë të caktuar politik, siç është rasti i ish-pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Stojançe Angellov, paralajmërojnë edhe një amnisti për të dënuarit e ngjarjeve të 27 prillit të vitit 2017. Ky proces, sipas tij, duhet të ndodh pas përfundimit të zgjedhjeve që pritet të ndodhin së shpejti. Për juristen Natali Petrovska, vendimet për amnisti duhet të mbështeten me argumente dhe arsyetime të forta, respektivisht siç edhe të gjitha ligjet tjera – qëllimi dhe zbatimi duhet të jenë transparent dhe të mbështetur nga qytetarët, pasi që Parlamenti legjitimitetin e merr pikërisht nga qytetarët.
“Ne si Koalicion reaguam për më shumë lëshime dhe dispozita të panevojshme të Ligjit për amnisti për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017, pra nëse Parlamenti vendos për një ligj të ri në kontekst të ngjarjeve të njëjta, patjetër duhet të adresohen të gjitha lëshimet e ligjit të parë, si dhe krijimi i dispozitave të reja ligjore të bëhet me një kujdes të lartë, gjegjësisht fitimin e mbështetjes nga opinioni për zbatimin e të njëjtave”, thotë Petrovska.
Ndër proceset më të debatuara dhe kundërshtuara viteve të fundit në Maqedoninë e Veriut, pa dyshim se janë ligjet apo vendimet për amnisti të një kategori të caktuar të të dënuarve apo dyshuarve. Ish-presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov, ishte ai i cili në vitin 2016 solli vendim për faljen e një numri të konsiderueshëm të të dyshuarve në lëndët para-hetimore të Prokurorisë Speciale Publike, të asaj kohe. Ky vendim realisht ishte edhe pikënisja e protestave shumë të njohura të “Revolucionit Laraman”, të cilat pas gati muaj shprehje të revoltës qytetare ish-presidenti u detyrua të tërheq vendimin këtë vendim për amnisti. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2017 koalicioni LSDM-BDI e votoi Ligjin për amnisti të një numri të konsiderueshëm të të burgosurve. Arsyetimi i miratimi të këtij ligji ishte lehtësimi i mbingarkimeve të burgjeve dhe ky proces në masë të madhe i përfshiu të dënuarit për vepra të lehta penale. Ndërkohë, ligji më kontrovers për amnisti i cili u miratua nga Kuvendi në vitin 2018 ishte amnistia e një pjesë të të akuzuarve për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit. Nga dispozitat e këtij ligji kryesisht përfituan deputetët të cilët i hapën dyert e kuvendit mbrëmjen e 27 prillin të vitit 2017, ndërkohë kërkesa për amnisti ju refuzua 16 të akuzuarve tjerë, përfshi edhe Abdulfetah Alimin, i cili mes popullit njihet si personi që i shpëtoi jetën kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Në paralajmërimin e tij se do të kërkoj miratimin e një amnistie për të dënuarit e 27 prillit, Angellovi heq paralele mes këtyre të akuzuarve dhe pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas tij, nëse veteranët e UÇK-së janë të lirë, pse mos të lirohen edhe personalitete si Mitko Peshov, epror i njësisë speciale dhe pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001. Duke u vënë më mbrojtje të Peshovit, ai thekson se bëhet fjalë për një djalë të guximshëm i cili trimërisht ka luftuar në vitin 2001. Mes tjerash ai edhe shton se Peshovi, nuk ka qenë i vetëdijshëm se çka po ndodh dhe nuk ka marr para. (koha.mk)