Edhe pse nga viti në vit ambienti afarist po përmirësohet, megjithatë kompanitë ngurojnë të investojnë më shumë apo të rrezikojnë të humbin mjete më të mëdha
Nga Fisnik PASHOLLI
Edhe në Evropë dhe Botë, kompanitë ndeshen me paqartësitë që sjell e ardhmja, me jo parashikueshmërinë e ambientit të biznesit, apo rrezikun e sjelljes së vendimeve afariste. Mirëpo atje institucionet në të shumtën e rasteve edhe e kryejnë punën e tyre, zgjedhjet nuk dëmtojnë edhe aq shumë biznesin dhe megjithatë ekziston një ambient më miqësor për biznesin.
Në realitetin shoqëror, politik dhe ekonomik të Ballkanit dhe Maqedonisë së Veriut, po ndodh paqartësia politike, zgjedhjet e shpeshta, miratimi i ligjeve me procedurë të shpejtë dhe pa konsultime të nevojshme me biznesin, ikja e të rinjve jashtë, ulja e fuqisë blerëse si rrjedhojë e blerësve që tani blejnë prodhime gjermane dhe jo ato vendore. Këto janë vetëm një pjesë e telasheve dhe problemeve të afaristëve vendorë. Jo se të gjitha qeveritë në të kaluarën por edhe aktualisht, nuk kanë pasur dialog me komunitetin e biznesit , nuk ka dëgjuar kërkesat dhe i kanë plotësuar ato në varësi edhe prej mundësive materiale.
Mirëpo sikur zëri i tyre në periudhën e kaluar nuk është dëgjuar mjaftueshëm, përkundër faktit se ato mbushin arkën e shtetit. Sikur mungon një reagim më i shpejtë për kërkesat e afaristëve ku për shembull në zonën e Vizbegut edhe pse punojnë me mijëra punëtorë, po qarkullohen me qindra miliona euro dhe po paguhen shuma të mëdha tatimeve, përmirësimi i kushteve të punës po ec ngadalë apo edhe zgjidhja e statusit të saj juridik po ec avash. Edhe pse nga viti në vit ambienti afarist po përmirësohet, megjithatë kompanitë ngurojnë të investojnë më shumë apo të rrezikojnë të humbin mjete më të mëdha.
Vetëm Ligji i ndërtimtarisë është ndryshuar me dhjetëra herë, apo mbeti dilema për Ligjin për tatimin personal se a duhet të tatimohen apo nuk duhet të tatimohen më të pasurit, sa si shtet kemi dobi apo humbje nga tatimi i sheshtë e kështu me radhë. Problem më vete janë edhe qartësimet e funksionimit të ligjeve në praktikë. Rrallë ndonjë ligj në vend nuk është harmonizuar me legjislacionin evropian, mirëpo ankesat e afaristëve tregojnë se në praktikë shpesh mungojnë aktet nënligjore që do të rregullojnë zbatimin më të lehtë në praktikë të ligjeve që nga komunat e deri në nivelet më të larta. Për shembull është lëvduar Ligji i fundit për furnizime publike , mirëpo sërish akoma nuk janë miratuar aktet nënligjore që zgjidhin dilemat dhe udhëzojnë se një tender nuk është i njëjtë në ndërtimtari, mjekësi, bujqësi e kështu me radhë. Problem më vete janë edhe ligjet e paqarta, apo të pasakta ku hapet mundësia e interpretimit ndryshe dhe hedhjes së fajit apo bartjes së kompetencave nga një institucion në një institucion tjetër. Apo dhe miratimi i një pjese të ligjeve edhe para anëtarësimit në BE, edhe pse kjo ka një kosto të madhe për biznesin dhe qytetarët. Shpesh ndodh që ligje të caktuara të “huazohen”, ta zëmë nga Kroacia, kjo e fundit i ajo i ka “huazuar “, nga Gjermania, mirëpo shtrohet pyetja sa këto zgjidhje ligjore janë të zbatueshme në mentalitetin tonë, sa jemi të përgatitur për ti zbatuar ato në praktikë dhe sa janë dëgjuar mjaftueshëm argumentet dhe faktet e biznesit për adaptimin e tyre ndaj kushteve tona specifike. (koha.mk)