Mbi një muaj zgjasin kontrollet e përforcuara të autoriteteve të Kosovës nën dyshimin se bëhet fjalë për rieksport të miellit nga Serbia, përmes Maqedonisë në Kosovë. Mullisët në Maqedoni ankohen se kanë dëme të mëdha nga pritja e kamionëve në kufi
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 shkurt – Mbi një muaj zgjasin kontrollet e përforcuara të autoriteteve të Kosovës nën dyshimin se bëhet fjalë për ri eksport të miellit apo eksport nga Serbia përmes Maqedonisë në Kosovë. Mullisët në Maqedoni ankohen se kanë dëme të mëdha nga pritja e kamionëve në kufi.
Sipas kryetarit të Grupacionit të mullisëve në Maqedoni, Goran Malishiq, qëndrimi tetë ditë në kufi ka koston prej një mijë euro, ndërsa për çdo ditë qëndrimi në terminal paguhet edhe 40 euro, ndërsa në fund kostoja është 1200 euro për një transport, shkruan gazeta KOHA. Kjo e bën miellin nga Maqedonia jo konkurrues në tregun e Kosovës. Sipas tij, mullisët nuk janë kundër kontrolleve, por kontestojnë mbajtjen me ditë të tëra të kamionëve në kufi.
“Asnjë mulli që eksporton nga Maqedonia në Kosovë nuk kryen reeksport, këtë nuk e lejojnë as ligjet , ndërsa dikush mund të përgjigjet edhe penalisht edhe të dënohet me të holla nëse vepron në këtë mënyrë”, shton ai.
MIELLI NGA MAQEDONIA, KU EKA BURIMIN?
Nga Ministria e Ekonomisë, thonë se punojnë në zgjidhjen e problemit.“ Unë kisha takim me prodhuesit e miellit në vend lidhur me këtë problem, dhe menjëherë kam kontaktuar homologun tim kosovar. Ai më bindi se për një kohë të shkurtër do të gjendet zgjidhje për këtë çështje”. thotë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Në ndërkohë, autoritetet kosovare kanë shtuar kontrollet pas rritjes së eksportit të miellit nga Maqedonia në Kosovë, prej muajit tetor të vitit të kaluar e këndej. Në vitin 2018, në Kosovë nga Maqedonia janë importuar 2417 tonë miell, ndërsa gati tërë sasia është eksportuar në dy muajt e vitit të kaluar. Njëherazi vetëm në 10 muajt e parë të vitit 2018, nga Maqedonia në Kosovë janë eksportuar vetëm 38.6 tonë miell, ndërsa në tërë vitin 2017 në drejtim të Kosovës janë eksportuar afër 50 tonë miell nga Maqedonia, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë së Maqedonisë.
Nga ana tjetër, më 20 shkurt mbushen plot tre muaj që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën prej 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake. Deri te ky vendim erdhi pasi Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, ka bërë propozimin e taksës 100 për qind, të cilën e ka përkrahur kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj që ka thënë se marrëveshja e CEFTA-s nuk ka funksionuar mes Kosovës dhe Serbisë.“Që një kohë të gjatë Kosova është penguar si në transport si në analiza e në çdo instrument tjetër e CEFTA nuk ka funksionuar mes Kosovës dhe Serbisë. Duke qenë kështu unë e përkrah këtë propozim”, ka thënë Haradinaj.
Që nga 21 nëntori i vitit 2018 e deri më datën 20 shkurt, sipas Doganës së Kosovës në vend nga këto dy shtete janë importuar rreth 770 mijë euro mallra,që kryesisht kanë qenë lëndë të parë për të cilat janë paguar edhe masa mbrojtëse. Mirëpo, pavarësisht vendosjes së taksës në Kosovë mallrat e Serbisë vazhdojnë të jenë prezentë.
Gjatë ditës së martë, ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar se mallrat nga Serbia mund të hasen në gjithë Kosovën dhe se ato po arrijnë përmes rrugëve alternative. Lajiq ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë, se nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme.
“Ka raste kur gruri ynë shkon në Kroaci, prej atje paketohet dhe transportohet në Kosovë si mall i Kroacisë”, është shprehur Lajiq. Ai ka përmendur se si pasojë e taksës për tre muaj, Serbia ka humbur 90 milionë euro.
Lajiq ka potencuar po ashtu se humbjet për ekonominë e Serbisë do të jenë edhe më të mëdha nëse bizneset e atjeshme e humbin tregun në Kosovë, ngaqë tashmë, sipas tij janë lajmëruar biznese nga Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Hungaria e tjerë, që duan të përfshihen në këtë treg.
SHQIPËRIA KA BLLOKUAR MIELLIN NGA KOSOVA
Në ndërkohë, në maj të vitit të kaluar Shqipëria bllokoi 35 tonë miell nga Kosova, duke dyshuar në nivelin e proteinave. Dyshimet ishin se mielli i importuar nga Kosova ka sasi më të ulët të proteinave sesa masa e lejuar. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri bllokoi 35 tonë miell të kompanive kosovare, pasi që dyshohet se malli me nivel proteine më të ulët blihet me çmim më të lirë në Kosovë dhe shitet në Shqipëri me çmim më të lartë, ku përdoret për prodhimin e bukës. Por kjo po kundërshtohet nga institucionet në Kosovë.
Nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës thonë se këtë po e bëjnë kompanitë në Shqipëri me qëllim që të mos kenë konkurrencë në tregun e tyre nga Kosova.
Muhamet Farizi tha se kanë bërë analiza dhe niveli i proteinave është i njëjtë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Por në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës thonë se Kosova nuk e ka një rregullore që përcakton limitin e proteinave në miell. Ish-ministri i bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti pranoi se standardi ushqimor i bukës së prodhuar në Shqipëri, për shkak të cilësisë së miellit, është më i ulëti në Evropë. Ai kujton se pesë vjet më parë, kur ishte në detyrë, firmosi një udhëzim sipas të çilit mielli që do të përdorej për të prodhuar bukën, duhet të kishte një nivel prej 12.5 proteinash, i cili gjithashtu është ende larg standardit evropian që e kërkon këtë nivel në shkallën 14 për qind. “Miell apo krunde”, ne ishim të vendosur që shqiptarët të merrnin cilësinë më të mirë të bukës së tyre”, tha Panariti, që shpjegoi se këtij udhëzimi, ju gjetën të çara për ta shmangur. “U kërkua që të importohej dhe miell me nivel 9 për qind proteinash, nga i cili prodhohen biskota apo makarona. Dhe kjo dritare e lënë, u bë një derë ku depërtoi mielli i papërshtatshëm. Shteti nuk i kishte dhe nuk i ka kapacitetet të kontrollojë të gjithë zinxhirin e importit të miellit”, tha Panariti, sipas të cilit, me sasinë e miellit që importohet gjoja për të bërë biskota, Shqipëria, por dhe gjithë rajoni do të ushqeheshin me këtë produkt.
Në muajin mars të vitit të kaluar, mullisët e Maqedonisë, importues dhe fermerë ishin habitur nga reagimet e Serbisë për eksportin e miellit. Ata vlerësonin se fqinji verior nuk është informuar në mënyrë të drejtë sepse me Rregulloren gjoja të re Maqedonia nuk vendos kurrfarë barriera, as nuk i ndalon dikujt të eksportojë sa të dojë. Vetëm e ndërroi orarin e procedurave plotësisht të njëjta, kohë më parë të definuara, dhe deri tani kushte të vlefshme për import.
Në vend se të vendosen pulla të kontrollit për ta shënuar miellin që në Serbi (ose cilindo shtet tjetër) nga ana e eksportuesve, para se ajo të arrijë në kufirin e Maqedonisë, tani pullat do të vendosen pas kontrollit të tërësishëm të përfunduar të miellit për kujdes shëndetësor, siguri dhe kualitet, apo prejse do të merren rezultatet e analizave të mostrave të marra nga mielli gjatë arritjes së tij në kufi. Më vonë me marrëveshje reciproke u zgjidh edhe ky problem.
Në 15 shtator të vitit 2013, dhe pas shtatë ditësh bllokada u rihapën kufijtë mes Maqedonisë dhe Kosovës . Në mesnatën mes 14 dhe 15 shtatorit hynë në fuqi vendimet e qeverive të dy shteteve për tërheqjen e ndalesave të importit dhe taksës për qytetarët dhe automjetet kosovare. Pas një jave , Maqedonia i dha fund ndalimit të importeve të grurit dhe të miellit nga Kosova, që ishte në zanafillën e një bllokade ndërmjet dy vendeve. Paraprakisht ndalimi i importeve të grurit dhe miellit, bëri që autoritetet në Prishtinë të ndalojnë importet nga Maqedonia të disa mallrave, kryesisht ushqimore. (koha.mk)