Siguria amerikane për Ballkanin gjithmonë ka qenë motori nxitës i NATO-s, dhe kjo u dëshmua në rastin e Kosovës, ndërkohë që tani kur Maqedonia nuk e ka të qartë hyrjen në Aleancën Veriatlantike, kjo siguri mund të shndërrohet edhe në alternativë, jo vetëm për të kompensuar mekanizmat e sigurisë kolektive në këtë pjesë të Europës Juglindore, por edhe për të eliminuar ndikimin rus i cili mund të inkurajohet pas përpjekjeve të pasuksesshme të Maqedonisë për t’u bërë pjesë e NATO-s
Nga Emin AZEMI
Maqedonia dhe Greqia janë në skajet e kundërt të të njëjtit litar, por ende nuk po dihet përfundimisht se sa është e gjatë rruga e durimit që duhet të demonstrojë një shtet,madje edhe atëherë kur mirëkuptimi ndërkombëtar shfaqet vetëm në formë kurtuazie. Në Shkup ende nuk është shpalosur një plan “B”, se cila do të jetë e ardhmja e Maqedonisë pas Samiti të ardhshëm të NATO-s, që pritet të mbahet më 11 dhe 12 korrik të këtij viti, në Bruksel, ose më saktë pas 10 viteve që kur ndodhi vetoja e Greqisë në Bukuresht, në vitin 2008.
Sipas paralajmërimit të sekretarit të Përgjithshëm të Aleancë Veriatlantike, Jens Stoltenberg, në këtë Samit pritet edhe më shumë të përforcohet lidhja midis Evropës dhe Amerikës Veriore në të cilën është themeluar NATO-ja, sepse, siç tha ai, vazhdon “përshtatja e Aleancës për shekullin 21”.
Nikolla Dimitrov dhe homologu i tij grek, Nikos Koxias ende nuk kanë bërë bilancin e ndonjë rezultati të mundshëm të “kontakteve pas kulisave për tejkalimin e pengesave”, ndonëse shtypi grek qysh para disa muajve kishte paralajmëruar se tani më ekziston “proces i dy rrugëve paralele”, që do të përfshijë: rruga e parë – diskutime rreth emrit dhe shtrirjes së përdorimit, ku është e dukshme se vështirësitë shtrihen në vëllimin dhe interpretimin e “erga omnes” dhe , rruga e dytë – që ka të bëjë me mbiemrat që rrjedhin, shkurtesat dhe emrat tregtarë, e që e përfshijnë identitetin dhe gjuhën, elemente të cilat e prekin thelbin e “maqedonizmit”. Për thelbin e “shqiptarizmit” tash për tash askush s’është kah “e vokë ujin”, sepse debatet, siç ka thënë një politikan shqiptar i Shkupit , duhet të fillojnë pasi të mbyllet çështja (!). Ose me kuptu më mirë thelbin e kësaj thënie lapidare, duhet ta kujtojmë atë barsoletën me “hallën dhe shulin e derës…”
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, i cili është lideri i grupit të ri joformal “Grupi Ohri”, për mbështetje të Maqedonisë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, në një intervistë për MIA para do ditësh ka folur për situatën në Maqedoni dhe çështjen e emrit me Greqinë.
I lutur të komentojë një deklaratë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, sipas të cilit “nuk do të ketë anëtarësim në NATO pa zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë”, Roberston nënvizoi se Stoltenberg ka përmendur vetëm fakte.
“Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka dhënë fakte. Parimi në të cilin mbështetet NATO është se asnjë vendim nuk do të merret pa konsensus. Nëse nuk ka konsensus, vendi juaj nuk mund të anëtarësohet në NATO, ky është fakt”, tha Robertson.
Merre si ta marrësh, Maqedonia ende lundron në “ujëra të paqartë” të diplomacisë për sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi me Greqinë, kurse faktet edhe pse janë në anën e saj, ato nuk po kryejnë punë. Sido që të jetë politikanët në Shkup duhet të japin një sqarim plotësues se cila do të jetë e ardhmja e Maqedonisë, nëse ajo në një afat të shpejt nuk bëhet pjesë e NATO-s, kurse një përgjigje më racionale do të duhej të vjen edhe nga Brukseli e Uashingtoni. Ky i fundit, madje do të duhej të ketë shpjegime edhe më shpresëdhënëse pas lajmeve se portet detare të Shqipërisë tani një kohë janë fokusuar në radarët e interesimit ushtarak amerikan. Siguria amerikane për Ballkanin gjithmonë ka qenë motori nxitës i NATO-s, dhe kjo u dëshmua në rastin e Kosovës, ndërkohë që tani kur Maqedonia nuk e ka të qartë hyrjen në Aleancën Veriatlantike, kjo siguri mund të shndërrohet edhe në alternativë, jo vetëm për të kompensuar mekanizmat e sigurisë kolektive në këtë pjesë të Europës Juglindore, por edhe për të eliminuar ndikimin rus i cili mund të inkurajohet pas përpjekjeve të pasuksesshme të Maqedonisë për t’u bërë pjesë e NATO-s. (koha.mk)